Prezantohet Raporti për kujdesin ndaj fëmijëve – Kurti: Pabarazia të luftohet qysh në fëmijërinë e hershme

Prishtinë | 08 Tet 2024 | 10:10 | Nga Gzim Mujaj

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka publikuar Raportin e Monitorimit “Karta e Vlerësimit” – Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve?, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Albin Kurti, tha se si Qeveri kanë punuar që të rritet mbështetja për politikat sociale. Sipas tij, synimi ka qenë që të mos lihet askush mbrapa që pabarazia të luftohet qysh në fëmijërinë e hershme, duke përmendur ndarjen e shtesave për fëmijët dhe lehonat, madje edhe dyfishimin e tyre.

Ai shtoi se janë ndarë mbi 100 milionë euro për të mbështetur përfituesit e skemave të asistencës sociale, është rritur për 100% buxheti për mbështetje financiare për strehimoret dhe OJQ-të që ofrojnë shërbime sociale, janë shpërndarë mbi 35 mijë pako ushqimore, mbështetur 20 kuzhina popullore, po subvencionohen faturat e energjisë elektrike për mbi 60 mijë familje, ka nisur Pilotimi i reformës së Skemës së Asistencës Sociale si dhe përmendi investimet në shëndetësi.

Tutje, kryeministri shtoi se çdo angazhim për zhvillimin e fëmijërisë, nga Qeveria dhe zyrtarët e përveçëm, nga shoqëria në përgjithësi dhe posaçërisht OJQ-të, nga prindërit, familjarët dhe kujdestarët e tyre, është angazhim për zhvillimin e vendit tonë e të njerëzimit në përgjithësi.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri falënderoi Koalicionin e OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë për mbikëqyrjen e rezultateve në këtë fushë dhe për publikimin e Raportit të Monitorimit “Karta e Vlerësimit”.

Gjithashtu, uroi që bashkëpunimi i mirë mes institucioneve publike, KOMF dhe shoqërisë civile, të vazhdojë të jap fryte për fëmijët e Kosovës.

“Cili është mjedis i kujdesit për fëmijët tanë sot duhet të jetë pyetja jonë e përbashkët dhe çfarë na paralajmërim ky mjedise për të ardhëm e shoqërisë sonë. Në këtë pyetej të përbashkët ne mund të kemi përgjigje të veçanta mirëpo asnjë përgjigje e veçantë nuk do të jetë zgjedhje, zgjidhje është edhe përgjigja e përbashkët”.

“Të vetëdijshëm se ka shumë punë për tu bërë ne parimisht kemi siguruar qe të rritet mbështetja për politikat sociale dhe të prezantohen skemat e reja duke krijuar barazi nga mosha e hershme. Përqendrimi ynë ka qenë që të mos lihet as kush mbrapa që pabarazia të luftohet në fëmijërinë e hershme”.

“Ka tri vite që kemi prezantuar shtesat për fëmijë nënë moshën 6 vjeçare të cilat i dyfishuam e trefishuam sivjet dhe njëkohësisht shtesat për nënat lehona për tu përballur me kriza ndamë mbi 100 milionë euro për të mbështetur përfituesit e skemave sociale dhe rritëm buxhetin qind për qind për strehimoret dhe OJQ që ofrojnë shërbime sociale ”, ka thënë ai.

Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të mirë, tha se qëllimi i kësaj konference ka qenë që të identifikohen sfidat, progresi si dhe veprimet e mëtejshëm që duhet të ndërmerren në fushën e të drejtave të fëmijëve.

“Qëllimi i kësaj konferencë është që së bashku të identifikohen sfidat, progresi si dhe veprimet e mëtejshëm që duhet të ndërmarrin ne fushën e të drejtave të fëmijëve. Bashkëpunimi ynë me shoqërinë civile, është i përditshëm dhe konsultativ në të gjitha fushat dukë përfshire edhe në plotësimin e kuadrit ligjorë për të drejtat e fëmijëve si dhe programim për të drejtat e fëmijëve”, ka thënë ai.

Donjetë Kelmendi drejtoresh e KOMF, tha se raporti është  i publikuar është mjete për të unifikuar qëndrimet dhe pikëpamjet mbi situatën e të drejtave të fëmijëve në vend.

“Ky raport është mjet, ne si koalicion e shohim si mjete për të unifikuar qëndrimet, për të unifikuar pikëpamjet mbi situatën e të drejtave të fëmije ne vend. Presim që politikë bërësit, Qeveria, komunat, profesionistët të kenë parasysh rekomandimet e të gjeturat që dalin nga ky raport i monitorimit në mënyrë që të ndikojnë në përmirësimin e politikave, në rritjen e kapaciteteve institucionale, rritjen e investimeve buxheti si dhe rritjen e llogaridhënies”, ka thënë ajo.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti,

Progresi shoqëror do të thotë që gjenerata e ardhshme është në pozitë dhe në mundësi më të mira sesa ajo aktualja, e individi i gjeneratës duhet të shihet në raport ndërvarësie me mjedisin, me përshtatjen me të dhe me ndryshimin e tij.

Njerëzimi është i vazhdueshëm, sepse fëmijët e vegjël, të cilët kanë mendje jashtëzakonisht përthithëse, mësojnë e i kopjojnë të rriturit. Përshtatja apo kopjimi duhet të jetë në fokus tonin, përderisa ndërtojmë sistemet tona arsimore, shëndetësore dhe sociale. Ai ndodh edhe atëherë kur e shohim dhe e ndjejmë, por edhe atëherë kur nuk e shohim dhe nuk e ndjejmë. Prandaj, secili prej neve është një model edhe pse nuk e ka shpallur veten të tillë, meqenëse të tjerët, të vegjlit të konsiderojnë të tillë.

Andaj, cili është mjedisi i kujdesit për fëmijët tanë sot, duhet të jetë pyetja jonë e përbashkët dhe çfarë na paralajmëron ky mjedis për të ardhmen e shoqërisë tonë. E në këtë pyetje të përbashkët ne mund të kemi përgjigje të veçanta, mirëpo asnjë përgjigje e veçantë nuk do të jetë zgjidhje. Zgjidhje është edhe përgjigja e përbashkët.

Të vetëdijshëm se ka shumë punë për t’u bërë, ne parimisht kemi siguruar që të rritet mbështetja për politikat sociale dhe të prezantohen skema të reja, duke krijuar barazi nga mosha e hershme. Përqendrimi ynë ka qenë që të mos lihet askush mbrapa, që pabarazia të luftohet në fëmijërinë e hershme.

Ka tri vite që kemi prezantuar shtesat për fëmijë nën moshën 16 vjeçare, të cilat i dyfishuam e i trefishuam sivjet dhe njëkohësisht shtesat për nënat lehona. Deri më tani kemi mbi 410 mijë fëmijë dhe afër 60 mijë nëna lehona që po përfitojnë. E si efekt dytësor, rreth 100 mijë gra hapën llogari bankare për herë të parë.

Për t’u përballur me krizat e njëpasnjëshme, ndamë mbi 100 milionë euro për të mbështetur përfituesit e skemave të asistencës sociale dhe rritëm buxhetin për 100% për mbështetje financiare për strehimoret dhe OJQ-të, të cilat ofrojnë shërbime sociale.

Kemi shpërndarë mbi 35 mijë pako ushqimore, mbështetur 20 kuzhina popullore, për të përgatitur shujta për ata në nevojë.

Ndërkaq në kuadër të Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm, po subvencionojmë faturat e energjisë elektrike për mbi 60 mijë familje.

Pilotimi i reformës së Skemës së Asistencës Sociale — reformë e filluar në vitin 2007 — ishte lajmi më pozitiv i dekadës së fundit për politikat sociale. Skema e re e heq diskriminimin aktual duke mos përjashtuar familjet që nuk kanë fëmijë nën 5 vjeç, dhe e inkurajon punësimin nëpërmjet mekanizmave nxitës dhe bashkëpunimit me Agjencinë e Punës. Mësimet që do të nxirren nga ky pilotim i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Botërore, do të reflektohen në Projektligjin e ri për mbrojtjen sociale.

Viti 2024 ishte viti më i mirë ndonjëherë për financimin publik të shëndetësisë me më shumë se dyfishim të buxhetit për listën e barnave esenciale dhe me investime kapitale në klinika e spitale e specializime të reja. Kjo e përfshin transformimin e katër reparteve në Klinikën e Gjinekologjisë dhe ofrimin e tre shërbimeve të reja, renovimin e Klinikës së Psikiatrisë së fëmijëve dhe të adoleshentëve dhe funksionalizimin e Repartit të Pediatrisë në Mitrovicë.

Ndërkaq përmes programit për vizitat e nënave e fëmijëve dhe vaksinimin e fëmijëve sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, janë realizuar gjithsej 172 mijë vizita në shtëpi dhe mbi 67 mijë vizita vetëm në vitin 2024. Ministria e Shëndetësisë furnizoi 30 komuna me 30 automjete të cilat përdoren për këto vizita, e po ashtu janë furnizuar me vetura gjashtë Qendra Komunale të Mjekësisë Familjare të qyteteve të mëdha.

Një autor i famshëm gjerman thotë se ne mund ta konceptojmë fëmijërinë si një potencial brenda çdo qenie njerëzore, një potencial për t’u aktualizuar duke zhvilluar virtytin dhe vlerat e shoqërisë. Pra fëmijëria nuk është thjesht diçka që e kemi kaluar ne të rriturit, por diçka që e bartim përherë me veten tonë dhe sa mirë që është kështu, sepse ka diçka gjithmonë fëmijërore në çdo lloj kureshtje. E kureshtja është shumë e rëndësishme për imagjinatën, për pasionin, për progresin shoqëror. Andaj secili prej neve kur bashkëpunojmë, kur punojmë, kur mësojmë e kur mësojmë prej fëmijëve, sepse fëmijët nuk janë aty vetëm për t’i mësuar ata por edhe për të mësuar prej tyre, duhet ta kemi parasysh edhe këtë fëmijën që e ka brenda secili prej neve, meqenëse aty është edhe potenciali për të rriturit, që tashmë nuk janë fëmijë, dhe jo vetëm për fëmijët që do të bëhen të rritur.

Çdo angazhim për zhvillimin e fëmijërisë — nga Qeveria dhe zyrtarët e përveçëm, nga shoqëria në përgjithësi dhe posaçërisht organizatat joqeveritare, nga prindërit, familjarët dhe kujdestarët e tyre — është angazhim për zhvillimin e vendit tonë e të njerëzimit në përgjithësi.

Unë dua të falënderoj Koalicionin e OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, për mbikëqyrjen e rezultateve në këtë fushë dhe për publikimin e Raportit të Monitorimit “Karta e Vlerësimit”. Gjithashtu, uroj që bashkëpunimi i mirë mes institucioneve tona publike, KOMF-it dhe shoqërisë civile, të vazhdojë të jap fryte për fëmijët e Kosovës.

Faleminderit!

Të ngjashme