Favorizimi i diplomacisë parlamentare kulturore ishte njëra prej temave të diskutimit në takimin që ka realizuar sot zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, me Guy Mettan, deputet në Parlamentin Kantonal në Gjenevë, njëherësh Drejtor Ekzekutiv nga Klubi Zviceran i Shtypit dhe Tahir Shabani, president i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare.
Ndër çështjet tjera që u diskutuan në këtë takim ishin edhe thellimi e bashkëpunimit dhe organizimit të aktiviteteve kulturore në vazhdim të përpjekjeve të një promovimi dhe bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare në mes te Kosovës me Gjenevën, në Francë dhe Bruksel, transmeton Ekonomia Online.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve do të favorizojë diplomacinë parlamentare kulturore për Kosovë.
Sipas një komunikate nga MKRS, zëvendësministrja Bakija-Deva, çështjen e diplomacisë parlamentare kulturore e vlerësoi si tejet të rëndësishme dhe me interes jo vetëm për ministrinë por edhe për palët tjera që promovojnë vendin tonë.
“Në kuadër të politikave të ministrisë, me prioritet trajtohen temat e dialogut, promovimit dhe diversitetit kulturor dhe nevoja për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave të mira me partnerë dhe miq është e domosdoshme dhe pozitive. Prezenca kulturore e Kosovës në hapësirat frankofone është një promovim jo vetëm i kulturës por edhe i shtetit të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera zëvendësministrja, duke shtuar faktin që në këto vende jetojnë dhe veprojnë shumë bashkatdhetarë.
Ndërkaq, deputeti zviceran u shpreh se ndjehet i lumtur për gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të bashkëpunuar dhe koordinuar aktivitetet në të mirë të diplomacisë kulturore.
“Përpos favorizimit të kulturës, fokus do të kihet edhe për fushat e sportit dhe rinisë në këtë bashkëpunim”, thuhet në komunikatë.