Princi britanik William, i cili ishte i infektuar me Covid-19 vitin e kaluar, zbuloi të enjten se kishte marrë dozën e tij të parë të një vaksine anti-Covid.
William, 38 vjeç, nipi i Mbretëreshës Elizabeth dhe i dyti në radhë për fronin britanik, zbuloi në Twitter se kishte marrë dozën e parë të vaksinës në fillim të kësaj jave, së bashku me një fotografi të momentit kur ai mori injeksionin në Muzeun e Shkencës në Londër.
“Të martën mora dozën time të parë të vaksinës Covid-19”, tha ai. “Për të gjithë ata që punojnë në përhapjen e vaksinave – faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni”, shkruan Reuters.
William u sëmur me coronavirus prillin e kaluar, në të njëjtën kohë me babanë e tij, trashëgimtari i fronit, Princi Charles, megjithëse e mbajti lajmin sekret deri në nëntor.
Raportimet e mediave thanë se ai nuk donte të alarmonte askënd dhe ishte i goditur mjaft keq nga virusi.
Anëtarët e tjerë të Familjes Mbretërore gjithashtu kanë zbuluar se ata kanë marrë dozat e tyre të vaksinës, përfshirë monarken 95-vjeçare dhe Princin Charles.
Mbretëresha tha se marrja e vaksinës ishte proces shumë i shpejtë dhe nuk shkakton dëme dhe ajo inkurajoi publikun të ndiqte shembullin, duke thënë se ata që ishin të kujdesshëm duhet të mendonin për të tjerët.
Britania e Madhe u ka dhënë dozën e parë të vaksinës gati 37 milionë njerëzve në një nga shpërndarjet më të shpejta në botë.