Deri para disa kohësh prindërit e rinj kishin tendencën t’u vinin fëmijëve të tyre emra anglezë, italianë, spanjollë, madje edhe brazilianë, vetëm shqiptarë jo.
Por kohët e fundit duket se preferencat po ndryshojnë, dhe po vihet re një prirje e personazhëve të njohur sidomos, për t’i pagëzuar fëmijët e tyre me emra shqiptarë.
Më poshtë, po ju listojmë disa nga VIP-at që preferuan një emër tipik shqiptar dhe me kuptim të veçante për vogëlushët e tyre.
”Zëri” – Elita Rudi dhe Gjiko
Emrin “Zëri” e kishim të padëgjuar më parë, deri kur Elita dhe Gjiko na prezantuan me të voglin e tyre të porsalindur dhe na zbuluan edhe emrin e veçantë.
Siç duket çifti ka preferuar një emër shqiptar dhe me domethënie, megjithëse disa prej fansave të dyshes së njohur nuk ju ka pëlqyer.
“Kroi Art” -Alban Dududshi dhe Bieta Sulo
Alban Dudushi dhe Bieta Sulo i pëlqenin aq shumë përzgjedhjet që kishin bërë sa i vunë djalit të tyre, jo një, po dy emra shqiptarë. Para dy vitesh, çifti u bë prindër të një djali që e pagëzuan me emrin: Kroi Art. “Një krua, kroi ynë i dashurisë dhe një vepër arti siç është ky që ne kemi nxjerrë në dritë”- tregoi Bieta teksa shpjegonte kuptimin e emrit të djalit të saj.
“Stinë dhe Ajër” -Eni Jani dhe Genci Fuga
Edhe çifti i aktorëve Eni Jani dhe Genci Fuga, kanë zgjedhur dy emra shqiptarë dhe shumë të veçantë të veçantë për vajzat e tyre, Stina Ajër.
“Kristal”- Jonida Shehu
Kristal është emri i vajzës së moderatores Jonida Shehu-t, e cila erdhi në jetë dy vite më parë. “Gjithçka e pastër, e kthjellët, e shndërritshme” – tregoi Jonida, duke shpjeguar kështu kuptimin e emrit të vajzës.
“Erlis”- Ledina Celo
Këngëtarja e cila prej vitesh ka të vendosur jetën e saj jashtë vendit, Ledina Çelo, gjithashtu i ka vënë djalit të saj një emër shqiptar, Erlis (erë lisi).
“Krena, Glauk” – Florjan Binaj
Aktori i “Portokalli” ka zgjedhur emra shqiptarë për të dy fëmijët e tij. I ftuar në “Shiko kush luan” në sezonin që lamë pas, aktori shpjegoi kuptimin emrave. Flori tregoi se emri i vajzës së tij, Krena, vjen nga fjala krenari dhe për më tepër është një lumë në Gjakovë. Ndërsa Glauk, është emër ilir i cili është edhe pjesë e historisë shqiptare. Flori tregoi se ky emër është përdorur edhe në filmin e Aleksandrit të Madh, gjatë momentit kur Aleksandri i drejtohet një luftëtari duke e pyetur “Nga vjen ti?” dhe ai i përgjigjet “Unë jam Glauk dhe vij nga Iliria”.
“Dan” – Jonida Maliqi
“Në fakt, emrin ia ka vendosur gjyshi i djalit. Edhe ne ishim shumë dakord, sepse na pëlqeu dhe donim një emër shqiptar. Menduam se ky emër shkon edhe me mbiemrin Prizreni”- ka treguar Jonida Maliqi kur është pyetur për kuptimin e emrit të djalit të saj.