Nxënësit e klasave të ulëta të shkollës fillore “Haxhi Zeka” në fshatin Zahaq të Pejës i janë gëzuar shumë shëtitjes njëditore te “Guri i Zi” afër Klinës. Mirëpo gjatë kthimit, në njërin prej autobusëve, nxënësit janë përballur me probleme shëndetësore.
“Të martën, më 15 tetor, i kemi pasë fëmijët në ekskursion te ‘Guri i Zi’. Janë nisur kah ora 9.30 dhe janë kthyer kah ora 14.30. Kanë qenë klasat e ulëta prej klasës së tretë deri të pestën. Në mesin e tyre edhe djali im. Por rrugës kah janë kthyer nuk ka pasur përkujdesje ndaj fëmijëve nga autobusi e as nga mësimdhënësit që kanë qenë në autobus. Autobusi ka qenë dy kate dhe në katin e dytë nuk ka pas klimatizim. Fëmijëve ju ka bërë shumë nxehtë në katin e dytë, janë djersitur e molisur nga ngrohja, pa pasë ajër të freskët. Edhe janë alivanos nga gjendja që ka qenë aty. Djali im ka qenë në katin e dytë të autobusit”, është ankuar prindi Liridon Kastrati, që e ka djalin në klasën e tretë në atë shkollë. Ai pohon se fëmijët kanë kërkuar edhe ta ndalin autobusin për urinim, por autobusi, siç thotë ai, nuk është ndalur.
“Disa fëmijë kanë urinuar edhe në pantallona, e shoferi i autobusit nuk e ka ndalë autobusin. Nxënësit që kanë ra poshtë me kërkua ndihmë, është ushtruar edhe dhunë fizike prej stafit të shkollës dhe pastaj fëmijët janë kthyer lart. Ka qenë një keqtrajtim i nxënësve në atë autobus që kanë qenë. Në katin e dytë, ku kanë qenë nxënësit, nuk ka ndejt asnjë arsimtar me u përkujdes për ta dhe me pa se në çfarë gjendje janë fëmijët. Mësimdhënësit kanë qëndruar në katin e poshtëm të autobusit, ku ka pasë klimë. Faji është te papërgjegjësia e stafit të shkollës dhe e shoferit të autobusit”, thotë Kastrati. Ai tregon se kur janë kthyer nga ajo shëtitje, fëmijët janë kthyer të ftohur.