Këshilli i Prindërve i Institucionit Parashkollor “Gëzimi Ynë” në Prishtinë marshin protestues e kanë përmbyllur para zyrave të SBAShK-ut, raporton Ekonomia Online.
Vlora Nikçi, para mediave tha që janë bërë shumë ditë që çerdhet janë të mbyllura dhe fëmijët janë duke humbur interesimin për të shkuar në to.
Madje sipas saj, nuk po kanë më alternativë se ku t’i dërgojnë e kush të kujdeset për ta.
Aktorja ka treguar se tash e një muaj është në pushim dhe po kujdeset për fëmijët e saj.
“Çerdhet më pakë janë diskutuar, më shumë janë diskutuar edhe shkollat, por neve çerdhet çka po na mundon më së shumti është se fëmijët u bënë shumë ditë që nuk janë hap çerdhet dhe fëmijët tanë sikur po fillojnë të humbin interesimin për të shkuar në çerdhe”.
“E kuptojmë grevën e respektojmë atë, por nëse ka mundësi disi, meqë tash pe kuptojmë edhe kërkesat e tyre të na hapen çerdhet së paku ndërtesat e çerdheve që të futen fëmijët tanë, ka plotë prindër që janë interesuar të mbajnë mësim për ta”.
“Më e mira e të mirës është që mësueset të kthehen të mbajnë mësim për fëmijët tanë. Shpresojmë shumë që na mirëkuptojnë dhe gjejnë një zgjidhje që çerdhet të hapen sa më parë”, tha Nikçi.
Marshi ka filluar nga ndërtesa e Qeverisë, ku prindërit me pankarta në duar kanë kërkuar ndërprerjen e grevës.