Si nënkampione e Superligës së Kosovës në volejboll (meshkujt), Prishtina Volley-M ka fituar të drejtën e paraqitjes në garat evropiane, saktësisht në Challenge Cup për edicionin e ri.
Mirëpo për herë të dytë rresht, ekipi nga Prishtina është i detyruar të heqë dorë nga kjo garë shkaku i mungesës së mjeteve financiare, shkruan Koha Ditore.
Vitin e shkuar Prishtina Volley-M fitoi të drejtën e paraqitjes në garën e njëjtë si fituese e Kupës së Kosovës, por hoqi dorë në mungesë të mjeteve.
Në fakt, në pesë vjetët e ekzistimit si klub, Prishtina Volley-M ka fituar katër herë të drejtën e pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare, por që asnjëherë nuk është paraqitur.
Përsëritja e kësaj historie e ka mërzitur trajnerin e ekipit, Xhavit Kajtazi, që ka pranuar se Prishtina Volley-M gjendet në udhëkryq.