Prishtina është fituese e Superkupës së Kosovës në futboll.
Takimi i zhvilluar të shtunën në mesditë në Antalya të Turqisë, u takoi kryeqytetasve që mposhtën gjilanasit e Dritës me rezultatin 3:1.
Fituesja e trofeut të Kupës, Prishtina, kaloi në epërsi në minutën e tretë me golin e Qendrim Zybës.
Katër minuta më vonë u kundërpërgjigj Kastriot Rexha, i cili barazoi shifrat duke e shfrytëzuar edhe gabimin e portierit Eglant Haxho.
Në minutën e 22-të, Prishtina e ktheu avantazhin. Mbrojtësi Besnik Krasniqi e konvertoi në gol penalltinë e fituar nga Leonit Abazi.
Goli i fundit nga Prishtina në këtë duel u shënua në minutën e tretë të kohës shtesë.
Alban Shillova vulosi epilogun final të takimit, Prishtina – Drita 3:1.
Superkupa e Kosovës u zhvillua për herën e parë jashtë territorit të Kosovës, me pajtim të të dyja klubeve, që po qëndrojnë në Turqi për përgatitje para stinorit pranveror.
Prishtina e Drita do të takohen në stadiumin “Fadil Vokrri” më 10 shkurt edhe në kuadër të Kupës së Kosovës, në fazën e 1/8 së finales.