Për dashurinë e mllefin ndaj padrejtësive − me një gotë verë e muzikë të mirë – u lexuan poezi e fragmente shkrimesh, në mbrëmjen që i hapi rrugë festivalit letrar në kryeqytet.
Me libra në sfond u dekorua skena e improvizuar në oborrin e degës përkujtimore të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në “Toukbahçe”, në të cilën poezia u shkri me muzikën, shkruan sot “Koha Ditore”.
Të ndryshme ishin grupmoshat që u ulën përreth skenës së “Prishtina lexon” të hënën mbrëma. Po aq të ndryshme edhe rrëfimet e poezive dhe pjesëve letrare që u lexuan aty.
Muzika i dha ngjyrë “Natës së letërsisë dhe poetikës”, që zyrtarisht hapi festivalin “Prishtina lexon” që sivjet u organizua nga Komuna e Prishtinës bashkë me organizatat joqeveritare “ETEA”, “Termokiss” dhe “Toka”. Në këtë edicion festa zgjat shtatë ditë dhe përfshin të gjitha moshat.
DJ Oda Haliti e ka nisur e mbyllur me muzikë mbrëmjen. Të parët që lexuan ishin Flutur Mustafa e Liridon Miftari. Pas tyre, Anna GraceMullen dhe Mevlud Rahimaj, në version akustik, interpretuan përpunime të hiteve botërore.
Sibel Halimi doli në skenë për të lexuar poezi që shpërndanë mesazhe të fuqishme.
Edhe Ndriçim Ademaj e Tinka Kurti lexuan poezi.
Plator Gashi e Adelina Tërshani e kanë përmbyllur pjesën e leximit të poezive.
Agon Ahmeti, nga “ETEA”, ka thënë se “Nata e letërsisë dhe poetikës” i është përshtatur mirë hapjes së një festivali siç është “Prishtina lexon” .