Mëngjesi i sotëm e ka gjetur ndryshe Prishtinën. Çdo cep i rrugës i dedikuar për kontejnerë të mbeturinave ka qenë i stërmbushur nga ato. Mbeturinat e kundërmimi kanë shkaktuar “revoltë” tek qytetarët. Krejt kjo pasi Kompanisë “Pastrimi” që merret me pastrimin e mbeturinave në Prishtinë i janë bllokuar llogaritë bankare me ç’rast e ka lënë kompaninë edhe pa naftë.
Por, kjo gjendje ndryshoi pasditen e kësaj të premte kur Komuna i huazoi naftë kompanisë.
Në një prononcim për Ekonomia Online, nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, ka thënë se kompania “Pastrimi” ka huazuar derivate për pastrimin e lagjeve me mbeturina derisa ka treguar se kjo është një mosmarrëveshje ndër vite ndërmjet kësaj kompanie dhe deponisë së mbeturinave.
“Ky është një mosmarrëveshje, siç duket mes ndërmarrjes Pastrimi dhe Deponisë së mbeturinave, si e tillë fatkeqësisht, është trashëguar thuajse prej vitit 2012, kjo është ajo që kam hasur edhe ne dokumentacion dhe në të informata. Unë sot e kam takuar personalisht drejtorin e pastrimit dhe jemi marrë vesh me të që të sigurohen derivate kur dihet që atyre si ndërmarrje ju kanë mbyllur llogaritë bankare dhe si të tillë e kanë të pamundur operimin. Ne si Komunë u kemi huazu naftë ose derivate që mos të ndalet pastrimi, meqenëse jemi para vikendit dhe jemi para festës që të hënën nuk do të punohet”, tha Pacolli.
“..Faktikisht dihet që edhe e martja, plus të mërkurën nuk punohet, thuajse jemi në një javë mospune dhe si e tillë ne është dashur të marrim masa emergjente dhe të intervenojmë që mos të ngelet qyteti pa pastruar, qyteti është duke u pastruar, ka filluar në mëngjes diku rreth orës 11:00 pastrimi dhe gradualisht është pastru”.
Ekonomia Online ka provuar të marrë në prononcim edhe drejtorin e kompanisë “Pastrimi”, Burim Kelmendin, por ky i fundit nuk ka pranuar të flas para kamerës dhe as nuk i është përgjigjur pyetjeve të dërguara nga EO.
Por, ndryshe thonë banorët.
Ata kanë treguar për Ekonomia Online se gjendja me mbeturina është krijuar para 3-4 ditëve.
Qytetarja Shpresa Agani, banore e lagjes “Rexhep Luci”, thotë se gjendja e krijuar është e rrezikshme për shëndetin e tyre. Ajo thotë se me këtë gjendje po përmballen tash e disa ditë.
“Është diçka shumë e tmerrshme, që po ndodhë këto ditë në lagjen tonë “Rexhep Luci”, se përndryshe përpara ka qenë gjithmonë me kohë, kanë ardh i kanë marrë mbeturinat. Për moshat më të reja, për fëmijët, dhe për njerëzit të cilët janë më të moshuar dhe për ata është mjaftë rrezik, për shkak se ky bërllogë është shkak i infeksionit, burimi infeksionit mandej shkakton sëmundje të ndryshe tek të gjitha moshat për këtë arsye duhet me bë gjithçka që ta largojmë këto mbeturina, jo vetëm prej lagjes tonë por prej të gjithë Prishtinës dhe mbarë vendit. Kjo është më shumë se 3-4 ditë në qoftëse kështu vazhdon atëherë me siguri kanë me na mbulu mbeturinat”, thotë ajo për EO.
Njëjtë mendon edhe Rrezarta Meta, banore e Prishtinës. Ajo tha se këto mbeturina janë në të gjitha lagjet në Kryeqytet.
” Unë kam vërejt që ka mbeturina gjithandej Prishtinës edhe në lagjen ku unë jetoj, e rrezikshme është po aq sa e kemi edhe ajrin e ndotur në Prishtinë dmth atij ajri të ndotur duke ia shtuar edhe këtë është shumë e rrezikshme edhe për ata që janë të shëndoshë. Kompanisë i themi t’i heqin këto mbeturina, por edhe qytetarëve që të kenë kujdes ku i hedhin mbeturinat”, tha ajo.
Se gjendja është krijuar tash e disa ditë e mohon nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli.
“Ajo që ju e thoni se nuk është pastruar tri ditët e fundit unë e konfirmoj që nuk qëndron, pastrimi nuk është bërë dje nga pasdita dhe gradualisht do të pastrohet e gjitha. Është pastruar në pjesët jashtë qendrës, kur them jashtë qendrës mendoj në zonën periferike, siç është “Bregu i Diellit” dhe lagjet përreth, ngase brenda në qytet s’kanë mundur të futen shkaku i protestës që ka qenë sot edhe aty do të arrijnë së shpejti”, tha ai për EO.