Mbi 1.5 milionë tonelata mbeturina industriale rrezikojnë qytetarët dhe mjedisin

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 08:06 | Nga Ekonomia Online

Mbi 2.5 milionë tonë mbeturina industriale janë gjeneruar gjatë vitit 2018 në Kosovë, një pjesë e të cilave për shkak të trajtimit jo të mirë përbëjnë rrezik për shëndetin dhe jetët e qytetarëve. Nga kjo sasi, vetëm 945 mijë e 318 tonelata janë larguar nga Kosova, ndërsa 1.5 milionë të tjera janë depozituar brenda vendit. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të publikuara të enjten tregojnë se 40 mijë e 585 tonelata janë ricikluar gjatë 2018-s, ndërsa një tonelatë është djegur.

Sasia më e madhe e mbeturinave është gjeneruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull e ajër të kondicionuar, furnizim me ujë, kanalizim dhe nga menaxhimi i mbeturinave dhe aktiviteteve në revitalizimin e tokës. Sektori i dytë që ka gjeneruar më shumë mbeturina ishte xehetaria dhe guroret me 448 mijë e 754 tonë, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe pse raportet nuk përmendin sasinë e saktë të mbeturinave, ato vazhdojnë të përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve. Sipas një raporti të publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, mbeturinat e rrezikshme gjenden në të gjitha rajonet e Kosovës dhe se institucionet kanë dështuar që të bëjnë një zgjidhje për to.

Sipas AMMK-së, në Kosovë ende nuk ka depo ose impiant ekskluziv që do të trajtonte apo të ruante mbeturinat e rrezikshme sipas standardeve të BE-së. Madje Kosova ka humbur fondin prej 12 milionë eurosh të Bashkimit Evropian për krijimin e një deponie ku do të ruheshin mbeturinat e rrezikshme. Shkak për këtë ishte dështimi për të gjetur një lokacion për ndërtimin e saj. Ndërkohë, mosndërtimi i saj vazhdon të rrezikojë jetën e qytetarëve.

Mbeturinat e rrezikshme, sipas AMMK-së, gjinden në forma dhe ambalazhime të ndryshme, që sipas informatave që posedojmë janë tretës organikë, ngjyra, ilaçe të ndryshme, substanca ngjitëse, tretës për metale, tretës kimikë (me karakter acid ose alkaline), por edhe substanca të tjera të panjohura.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme