Dardan Berisha nuk u aktivizua në ndeshjen e Superkupës së Kosovës në basketboll, të cilën skuadra e tij Z Mobile Prishtina e fitoi bindshëm ndaj kampionit në fuqi, Bashkimit (88:50).
Berisha ishte lojtari i vetëm te Prishtina që tërë ndeshjen e përcolli nga banka e rezervistëve.
Trajneri Matthias Zollner në këtë ndeshje u dha hapësirë edhe të rinjve si Mërgim Jakupi, Rilind Krasniqi e Meriton Ismaili, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai ka gjasa që të mos aktivizohet fare edhe në ndeshjet kampionale për edicionin 2018/19 që nis këtë vikend, pasi Prishtina ka “luksin” për një gjë të tillë pas përforcimeve të shumta që i ka bërë gjatë kësaj vere.
Ndaj Bashkimit trajneri Zollner përdori vetëm katër të huaj, derisa tre të tjerë triumfin e përcollën nga tribunat. Pos Dardanit nga vendorët nuk luajtën as përforcimet vendore Mikaile Tmushiq dhe Altin Morina.
“Kemi ekip të kompletuar për edicionin e ri dhe duam të kemi paraqitje të mira në çdo garë që do të paraqitemi. Do të shoh nga ndeshja në ndeshje se si do t’i përdor lojtarët, pasi kemi gara edhe në kampionatin vendor edhe në Evropë”, është shprehur trajneri gjerman Zollner. “Dardanin nuk e aktivizova fare, pasi kishte një dhimbje të lehtë pas grumbullimit me Kosovën dhe nuk doja ta rrezikoja” .