Prishtina të hënën në mëngjes ka mbërritur në Gjibraltar, derisa të martën (sot, 18:00) në stadiumin kombëtar “Victoria Stadium” do ta zhvillojë ndeshjen parakualifikuese të Ligës së Evropës kundër Lincoln Red Imps.
Për fituesen e Kupës së Kosovës në futboll, është udhëtimi i tretë për në Gjibraltar. Prishtinasit janë në kërkim të fitores së parë në këtë vend të largët.
Në Gjibraltar, Prishtina ka një barazim dhe një humbje deri më tani.
Prishtina në paraqitjen e parë kundër skuadrave nga Gjibraltari pati eliminuar Europan, para dy vjetësh. Këtë skuadër e kishte mposhtur në Mitrovicë me rezultatin 5:0, derisa në udhëtim pati barazuar 1:1.
Edicionin e kaluar të Ligës së Evropës, Prishtina befasoi për të keq. Ndaj St. Joseph’it, në Prishtinë luajti 1:1, kurse në Gjibraltar humbi 2:0.
Drejt Gjibraltarit, Prishtina ka udhëtuar të hënën në mëngjes, derisa në mesditë futbollistët dhe stafi e kanë kryer testin për koronavirus. Pasditen e së hënës futbollistët e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Lincoln Red Imps.
Është hera e katërt për ekipin e Prishtinës që garon në kualifikimet e Ligës së Evropës.
Një ditë para se ekipi të udhëtonte drejt Gjibraltarit, Prishtina ka pranuar rezultatet e testit për koronavirus të bërë në Kosovë. Është njoftuar nga klubi se të gjithë lojtarët e ekipit të parë dhe anëtarët e shtabit teknik kanë rezultuar negativë.
Vetëm një futbollist i ri dhe një anëtar i klubit kanë dalë pozitivë në testin e fundit të kryer në Kosovë.
Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ka thënë për KOHËN se lojtarët që ka planifikuar t’i marrë me vete kanë rezultat negativë dhe do të jenë të gatshëm për duelin ndaj ekipit nga Gjibraltari.
“Kjo periudhë e testimit ka qenë e sikletshme për të gjithë, pasi nuk e dinim se kush do të udhëtojë e kush jo. Gjatë këtyre ditëve jemi munduar që të respektojmë të gjitha masat që janë kërkuar dhe këtu duhet përgëzuar të gjithë lojtarët dhe stafin”, ka thënë Dallku.
Dallku ka njoftuar se udhëtimi ka qenë i lehtë drejt Gjibraltarit, por jo edhe pajisja me viza, një problem që i ka përcjellë rregullisht sportistët dhe klubet kosovare.
“Prishtina ka forcë që ta mposhtë Lincolnin, ani pse është ekipi me koeficientin më të lartë që na ka rënë kundërshtar. Nuk kemi informacione të shumta për kundërshtarin, pasi atje që nga marsi është anuluar kampionati dhe dihet që për ndeshje të tilla ekipet e vendeve si Gjibraltari huazojnë futbollistë edhe nga Spanja. Por ne jemi gati për të kaluar këtë kundërshtar”, u shpreh Dallku.
Edhe futbollistët janë shprehur të gatshëm për ta kaluar këtë raund të garave evropiane.
Në fakt, Prishtina është klubi i tretë nga Kosova që e ka për kundërshtar Lincon Red Imps. Në të dyja rastet Lincolni ka pësuar disfatë, nga Drita me rezultatin e thellë 4:1 dhe nga Feronikeli, 1:0.
Te klubi i Lincolnd Red Imps nuk kanë dhënë ndonjë njoftim për ndeshjen kundër Prishtinës. Është njoftuar vetëm se takimin do ta luajnë të martën pasdite dhe për kundërshtar do ta kenë Prishtinën. Edhe skuadra nga Gjibraltari ka njoftuar se ka stërvitur të hënën, një ditë para ndeshjes.
Ndeshje evropiane dy ditë më vonë do të zhvillojë edhe skuadra tjetër kosovare, Gjilani.