Prishtina nis garën ku stinorin e shkuar bëri histori

Prishtinë | 23 Tet 2019 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Te Sigal Prishtina janë optimistë se do të nisin me fitore edicionin 2019/10 në FIBA Europe Cup, por kështu nuk mund të thuhet edhe për përsëritjen e edicionit të shkuar.

Kampionia e Kosovës në basketboll, të mërkurën (sot), nis rrugëtimin në FIBA Europe Cup, garë në të cilën po paraqitet për vitin e pestë rresht, shkruan Koha Ditore.

Kundërshtari i parë i Prishtinës në kuadër të Grupit C, do të jetë APOEL Nicosia e Qipros. Ndeshja do të zhvillohet në Prishtinë prej orës 19:00.

Pjesë e grupit janë edhe Ventspilsi i Letonisë e Medi Bayeruthi i Gjermanisë, ekipe që do të përballen gjithashtu të mërkurën (sot).

Prishtina ka vazhduar garat në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, pasi muajin e shkuar u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, duke pësuar nga Legia e Varshavës pas dy ndeshjeve.

Tash të gjithë te Prishtina kanë kthyer sytë nga FIBA Europe Cup, ku stinorin e shkuar skuadra arriti sukses të madh, duke u kualifikuar në 1/8 e finales. Përsëritja e këtij suksesi duket i pamundur tash për tash.

“Synimi ynë është që të startojmë me fitore edhe pse përballë kemi një kundërshtar të vështirë si APOEL Nicosia, që ka edhe përvojë më të madhe. Nuk do të jetë lehtë, por jemi të vendosur për ta dhënë më të mirën nga vetja pasi luajmë në shtëpi. Si vendas edhe këtë edicion sikurse edicionet e tjera në këtë garë, kundërshtarëve do t’u shkaktojmë telashe”, paralajmëroi kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme