Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” SH.A. sqaron opinionin publik rreth disa shkrimeve dhe reagimeve të aktivistëve politikë lidhur me vazhdimin e kontratës “Shërbime për Menaxhimin e Parkingjeve”, ku vlera indikative për 36 muajt e ardhshëm është 750,000.00€ (shtatëqind e pesëdhjetë mijë euro). Ndërmarrja sqaron se kjo nuk është shuma që do t’i paguhet Operatorit Ekonomik, por në bazë të kontratës së nënshkruar, Ndërmarrja do t’i paguajë kompanisë 15 % të të hyrave për çdo shërbim që kryen kompania e kontraktuar nga Ndërmarrja.
Ta zëmë, nëse Operatori Ekonomik kryen shërbime nga të cilat Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” inkason 100€ (njëqind euro), nga kjo shumë 15 % e të hyrave (15€) do t’i marrë kompania e kontraktuar për të kryer shërbimet. Gjithashtu në bazë të kontratës së nënshkruar, Operatori Ekonomik ka për obligim të furnizojë stafin me pajisje elektronike si telefona dhe printer digjital, ndërtimin e një server room, vijëzimin e të gjitha parkingjeve në të gjitha lagjet e Prishtinës, vendosjen e tabelave vertikale, mirëmbajtjen e sistemit, si dhe trajnimin e stafit për përdorimin e sistemit.
Është me rëndësi të theksohet se kompania e kontraktuar ka krijuar softuerin dhe tre aplikacione: aplikacioni ku palët paguajnë me sms, aplikacioni për banorët rezident si dhe aplikacioni për smart phone, ku për to është investuar një shumë e konsiderueshme e mjeteve nga kompania e kontraktuar. Prishtina Parking me punën dhe angazhimin e treguar është shndërruar në një Ndërmarrje model në vend, andaj çdo tentim për të prishur imazhin nga informata të pasakta të sponzorizuara që kanë dështuar të implementojnë sisteme të tilla, është i papranueshëm për ne.
Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” SH.A. fton mediat dhe qytetarët që për çdo informatë të drejtohen pranë zyreve të Ndërmarrjes dhe të mos publikojnë njëanshëm qëndrime nga individë politik.