“Prishtina Parking” këtë vit nuk do të jetë vetëm në pjesën e menaxhimit të hapësirave të parkingjeve publike, por edhe në pjesën e investimeve për rritjen e numrit të parkingjeve në qytet, raporton Ekonomia Online.
Kryeshefi ekzekutiv i Prishtina Parking, Liridon Restelica, në një intervistë për Ekonomia Online tha se shumë shpejtë nuk do të kenë nevojë më për subvencionim shtesë prej anës të komunës së Prishtinës, pasi do t’ia dalin me të hyra vetanake.
“Tash besoj që shumë shpejtë nuk do të kemi nevojë për subvencionim shtesë prej anës së komunës, këto subvencione të cilat kryetari na i ka dhënë, do t’i kthejmë me dividendë përmes Prishtina Parkingut dhe normal që qytetarët me pas një lehtësim të operimit të qarkullimit në qytet edhe gjetjes së mënyrave të parkingjeve më të favorshme”.
I pyetur për planet dhe investimet në vitin 2021, Restelica tha që janë duke punuar tutje për rritjen e numrit të parkingjeve, dhe investime në parkingjet nëntokësore.
“Prishtina Parking nuk do jetë vetëm në pjesën e menaxhimit të hapësirave të parkingjeve publike, por do jetë pjesë edhe e investimeve për rritjen e numrit të parkingjeve në qytet, që me gjet alternativa me bë edhe parkingje të konstruksionit metalik që me shfrytëzuar hapësirat e ndryshme sidomos të banorëve rezidentë, dhe do vazhdojmë me investimin e parkingjeve qoftë edhe parkingje nëntokësore”.
Vështirësitë dhe ndër problemet kryesore për “Prishtina Parking” ka qenë pandemia dhe ballafaqimi me të, e sidomos prekja e një numri të punëtorëve nga Covid-19.
Tutje, Restelica tha që situata me pandeminë dhe prekja e Covid-19 të vetë Liridonit por edhe të stafit ka qenë një ndër problemet kryesore për ta dhe për menaxhimin e punës së tyre.
“Kjo ka qenë një ndër problemet kryesore qoftë për shkak të personave ose zyrtarëve të brendshëm të cilët kanë qenë me Covid, ose zyrtarët e tjerë edhe komunal të cilët ne i kemi pasë në punë aktive në atë institucion, dhe puna ka mbet pezull dy javë ditë, as një aktivitet nuk ka mund të zhvillohet, duke përfshirë edhe veten time që edhe unë kam qenë pozitiv dhe më është dashur të vetë izolohem dhe normal që vetëm çështjet teknike dhe administrative përmes e-mailit kam mundur t’i kryej, që mos me lënë pezull punën, por kjo ka ndiku shumë, sepse ne si ndërmarrje jemi ndërmarrje e vogël dhe nuk kemi zyrtarë rezervë që mundet dikush me zëvendësua pjesën e dikujt tjetër”, tha Restelica.
Më tej, ai thotë që përkundër sfidave dhe karantinimit punëtorët nuk janë larguar apo reduktuar, dhe projektet nuk janë ndalur. “Ka qenë një sfidë shumë e madhe për “Prishtina Parking”, ne kemi filluar parkingun e parë mbrapa pallatit të Rinisë, e kemi marrë me 15 mars ku dihet që nga data 16 vetëm jemi hy në karantinë, dhe faktikisht ne i kemi trashëgu ata punëtorë që kanë punu tek Pallati i Rinisë dhe nuk i kemi largu, i kemi mbajtur si punëtorë të ndërmarrjes, normal që sfida ka qenë e madhe por duke e falënderuar kryetarin sepse edhe ai ka qenë i vendosur për me ekzekutua dhe me realizuar këtë projekt, na kanë ndihmu neve dhe jemi në situatën që jemi sot”, u shpreh Restelica për EO.