Komuna e Prishtinës po planifikon që ta subvencionojë me nga 50 euro në muaj secilin që adopton qen endacakë.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se atyre të cilët pajtohen të adoptojnë qen, do t’u ofrohet trajtim falas nga veterinari i kryeqytetit në Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacakë, që pritet të funksionalizohet së shpejti.
“Ne planifikojmë që në kuadër të rregullores të parashohim mundësinë e stimulimit për adoptimin e qenve endacakë, brenda e jashtë vendit. Për pronarët kosovarë që pajtohen të adoptojnë qentë, ne do t’u ofrojmë trajtim falas në çfarëdo kohe nga veterinari i Kryeqytetit, në Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacakë, e që shpresojmë ta funksionalizojmë shumë shpejtë, marrë parasysh se investimi i mbi 500 mijë euro është para përfundimit. Kryeqyteti po ashtu ka paraparë edhe subvencionimin 50-eurosh për çdo muaj për secilin që adopton qentë endacakë”, ka thënë ai për KOHËN.
Sipas Gecajt, pos adoptimit individual, ky subvencionim do të ndikonte që edhe sektori privat të ndërtojë qendra të licencuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilat do të mund të përfitonin nga këto subvencione.
“Vendosja e të gjithë qenve të kryeqytetit në një strehimore do të kishte kosto të papërballueshme edhe për qytetet e shteteve më të zhvilluara perëndimore, lëre më për në një vend si Kosova. Prandaj, edhe ligjërisht ne nuk kemi zgjidhje tjetër, pos të ndërmarrim të gjitha këto masa”, është shprehur më tej ai.
Të dielën një fëmijë dyvjeçar është sulmuar në fytyrë nga një qen endacak në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Prindi i fëmijës, i cili nuk ka dashur të identifikohet, ka thënë për KOHËN se për shkak të lëndimeve të pësuara, fëmijës i janë qepur të dyja faqet.
Duke mos treguar nëse janë të njoftuar me rastin, këshilltari i kryetarit të Prishtinës ka thënë se po punohet që incidente të tilla të sulmeve të qenve endacakë ndaj qytetarëve të mos ndodhin në të ardhmen.