Shumë qytetarë të Prishtinës nga ora 20:00 kanë dalur në ballkonet edhe tyre dhe në shenjë revolte kanë krijuar zhurmë në shenjë pakënaqësie me papërgjegjësinë e partive politike dhe institucioneve në kohën kur vendi dhe bota po përballen me pandeminë e Coronavirusit. Ata për pesë minuta me tenxhere, tiganë e gjëra metalike, duke i goditur kanë shfaqur pakënaqësinë lidhur me situatën e krijuar në skenën politike, raporton Ekonomia Online.
Një formë e tillë e revoltës ishte përdorur gjatë viteve të 90-ta, kur qytetarët e Kosovës, nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për të shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe. Revolta dhe protestimi prej ballkonit e ka një simbolikë të madhe dhe historike tek qytetarët e Kosovës.
Organizatorët e kësaj shfaqjeje të pakënaqësisë ka thënë se sot, qytetarët e Kosovës në kohë pandmie po përballen me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës. Sipas tyre, në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit.