Prishtinën veç fitorja ndaj liderit të grupit e mban në lojë

Prishtinë | 23 Jan 2019 | 10:54 | Nga Ekonomia Online

Mikaile Tmushiq pati debutuar te Z Mobile Prishtina në ndeshjen e parë të fazës së dytë të FIBA Europe Cup, të zhvilluar në Gjermani kundër S. Oliver Wuerzburg më 12 dhjetor të vitit të shkuar. Këtë ndeshje Prishtina e humbi me 18 pikë dallim (95:77), derisa Tmushiq nuk e shënoi asnjë pikë për tetë minuta sa luajti, shkruan sot Koha Ditore.

Të mërkurën (sot) Prishtina e pret ekipin gjerman në shtëpi, në ndeshjen e xhiros së katërt të Grupit I dhe Tmushiq beson se do të jetë shumë më efikas. Ndeshja nis në orën 19:00 dhe vlerësohet kyç për fatin e Prishtinës në këtë garë. Në rast të humbjes, shuhen shpresat e skuadrës kosovare për kalim në fazën tjetër.

Tmushiq shpreson të jetë ndryshe, të arrihet fitorja e dytë në këtë fazë, pas asaj ndaj Szolnoki Olajit më 19 dhjetor. Njëherësh, me këtë fitore Prishtina do t’ia shkaktonte disfatën e parë S. Oliverit që i prin grupit me pikë maksimale, gjashtë nga tri ndeshje.

Prishtina zë vendin e tretë në grup me katër pikë, një më pak se Pinar Karshiyaka që renditet e dyta dhe një më shumë se Szolnoki Olaj që është i fundit pa fitore. Dy ekipet e para në grup do të avancojnë në 1/8 e finales, kurse faza e dytë e FIBA Europe Cup do të përfundojë më 6 shkurt. Prishtina për herë të parë po paraqitet në këtë fazë, derisa pjesë e kësaj gare është për herë të katërt rresht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme