Kandidati i Nismës për kryetar të Prishtinës, Shyqiri Bytyqi, plan-programin e tij për qeverisjen e kryeqytetit, e shpalosi edhe në Lagjen e Spitalit.
Fillimisht foli bashkëpartiaku i Bytyqit, Skënder Reçica, i cili tha se “një menaxher i mirë si Shyqiri Bytyqi i nevojitet Prishtinës”.
“Ju siguroj se Bytyqi është kandidat i qëlluar dhe ju ftoj të gjithë juve që të votoni atë dhe kandidatët e Nismës për Kuvend Komunal nga kjo lagje”, u shpreh Reçica.
Më pas Bytyqi ka shpalosur pjesë të plan-programit që Nisma ka për qeverisjen lokale në Prishtinë.
“Ne e kemi një qasje ndryshe sepse jemi një parti social-demokrate dhe jemi duke e sjellë një frymë social-demokrate, e cila ka munguar në Kosovë. Programi i Nismës është i prekshëm për qytetarët”.
Sipas tij, me këtë program, në “një afat shumë të shkurtër” qytetarët do të fillojnë ta ndiejnë ndryshimin”.
Një nga planet e Bytyqit është që në çdo lagje të punësohen persona të cilët do të kujdesen për pastërtinë e lagjeve.
“Kjo ka një kosto shumë të vogël dhe për një kohë të shkurtër do të ndikojë që edhe vetë qytetarët të bëhen më të ndërgjegjshëm për ruajtjen e mjedisit”, tha kandidati i Nismës.