Pas pak ditësh Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës pritet që t’i njoftojë edhe zyrtarisht ambasadorët apo konsullët për lëvizjet që do të bëjnë.
Lajmi.net ka parë disa nga emrat që do të lëvizin apo do të emërohen ambasadorë të rinj të Republikës së Kosovës.
Pritet që së paku tre këshilltarë të kryeministrit Ramush Haradinaj të emërohen ambasadorë.
Këshilltari kryesor i Haradinajt, Arbër Vllahiu, do të jetë ambasador në Çeki. Meliza Haradinaj, këshilltare e kryeministrit, pritet të emërohet ambasadore në Britaninë e Madhe. Beqë Cufaj, i afërt me Haradinajn, do të shkojë ambasador në Gjermani.
Ndërkaq, lëvizja e ambasadorëve aktualë do të jetë kështu, mëson lajmi.net: Lirim Greiçevci aktualisht ambasador në Britani të Madhe, do të shkojë në Australi. Edon Cana, konsull i Kosovës në Francë do të zhvendoset në Bullgari.
Alma Lama, ish-deputete e LDK-së, aktualisht ambasadore në Romë, do të tërhiqet nga atje për t’u kthyer në Kosovë. Edhe Avni Spahiu, ambasador në Turqi do të kthehet në vendlindje. Fat i njëjtë e pret edhe Nexhmi Rexhepin, i cili do të tërhiqet nga Sllovenia.