Lama: Pjesëmarrja e Vetëvendosjes në zgjedhjet në Shqipëri është ndërhyrje

Prishtinë | 26 Pri 2021 | 18:54 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Alma Lama, e ka komentuar garimin e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Shqipëri.

Lama tha se ata që marrin shtetësinë shqiptare nuk iu mohohet e drejta e votës, për shkak se është një e drejtë Kushtetuese.

Ajo në Info Magazine në Klan Kosova tha se ka një dallim mes qytetarëve të zakonshëm dhe atyre që mbajnë poste të larta politike.

“Dallimi është në mes të një figure publike që mban poste publike dhe qytetarëve të zakonshëm. Realisht kushdo që merr shtetësinë shqiptare ka të drejtën kushtetuese, atë nuk mund të ua mohojë askush që të votojë. Çështja është se çfarë mesazhi përcjell?”.

“Për më shumë se sa vet votimi i këtyre zyrtarëve pra me pozita të larta përfshirë edhe kryeministrin Kurti, disa ministrave e të tjerë, unë shoh problemin e ndërhyrjes së një subjekti politik atje siç është Lëvizja Vetëvendosje, e cila është degë e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë dhe vet zotëri Kurti si udhëheqës i kësaj lëvizje e ka bërë vetën palë, ose konkurrent në procesin zgjedhor në Shqipëri, e cila është diçka më e rëndë se vota dhe nuk çon mesazh të mirë, sepse merr qëndrim, merr anë”.

Ish-deputetja e Kuvendit theksoi se votimi i Kurtit është ndërhyrje në procesin elektoral të një shteti tjetër.

“Fakti që nuk mban një qëndrim neutral ndaj partive politike të cilat pavarësisht se kush fiton nesër do t’i duhej të ulet përpara në tavolinë dhe të çoi përpara agjendën e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe t’i rregullojë këto raporte”.

“Ndërhyrja e një shteti dhe përfaqësuesve të një shteti tjetër në procesin elektoral të një shteti tjetër unë mendoj se është e gabuar. Ne është e vërtetë jemi vëllezër, jemi një komb. Por, unë e konsideroj si ndërhyrje pjesëmarrjen në zgjedhjet në Shqipëri”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme