Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim Ambasadoren e Republikës së Finlandës, shkëlqesinë e saj, Pia Stjernvall, më të cilën diskutoi për fushën e rinisë, me theks për Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), kryesimin e së cilës e ka Kosova, konkretisht, ministri Gashi.
Ministri Gashi e falënderoi ambasadoren Stjernvall dhe përmes saj popullin dhe qeverinë finlandeze për ndihmën e deritanishme që ka dhënë shteti finlandez për Kosovën, sidomos në fushat që mbulon MKRS-ja, veçanërisht projektet dhe bashkëpunimin në fushën e rinisë.
Ministri Gashi e informoi ambasadoren finlandeze për fokusin që MKRS-ja ka për rininë në Kosovë. Ai e njoftoi ambasadoren se ka nënshkruar dje Strategjinë për Rininë e cila parasheh avancimin dhe rritjen e pjesëmarrjes së rinisë në proceset e tërësishme në Kosovë.
Ministri Gashi, po ashtu, i sqaroi ambasadores Stjernvall se bashkëpunimi rajonal në fushën e rinisë është tejet i rëndësishëm ashtu që gjeneratat e reja të edukohen në një frymë më miqësore dhe në një respekt të ndërsjellë, duke mbizotëruar kësisoj mirëkuptimi dhe mirësjellja kundrejt lokalizmit dhe mosrespektit.
“Kosova mbetet e përkushtuar që rinia e saj të ketë bashkëpunim dhe mirëkuptim me të rinjtë e rajonit. Pres edhe përkrahjen e shtetit të Finlandës në këtë drejtim, sidomos në avancimin e infrastrukturës ligjore”, tha mes tjerash ministri Gashi.
Ndërkaq, ambasadorja Stjernvall, e njoftoi ministrin se Republika e Finlandës do të marrë kryesimin e Bashkimit Evropian, dhe me këtë rast do të ketë një bashkëpunim dhe përkrahje më të madhe për Kosovën, sidomos në fushat që mbulon ministria.