Ditëve në vijim mot kryesisht me diell. Në fundjavë vranësira dhe thatë. Temperaturat gradualisht në rritje
Ditëve në vijim vendi ynë mbetet nën ndikimin e fushave të presionit të lartë, që vazhdojnë të kushtëzojnë mot kryesisht të kthjellët, bën të ditur Prishtina Weather.
Shërbimi i meteorologjisë njofton se “masat e ftohta ajrore do të zhvendosen në lindje dhe juglindje të kontinentit, e rryma më të ngrohta ajrore nga Mesdheu do të sjellin rritje të lehtë të temperaturave maksimale gjatë ditës. Orëve të mëngjesit mbetet ftohtë dhe me ngrica”.
“Në fundjavë një front i ftohtë pritet të kalojë në lindje të rajonit, që do të sjellë vranësira, mirëpo pa të reshura”, thekson PW.
Sipas PW, “nën kushtet meteorologjike të parashikuara, pa qarkullim të mjaftueshëm ajror, vlerat e cilësisë së ajrit do të rriten në vlera të pashëndetshme, e që kohë pas kohe do të zbresin edhe në mesatare. Në fundjavë pritet të ketë erëra mesatare, që pritet të ulin vlerat e cilësisë së ajrit në mesatare dhe të mira”.
Parashikimi për periudhën 9-13 janar:
9.01 – Në mëngjes ftohtë dhe me ngrica. Ditën kryesisht kthjellët me vranësira kalimtare
10.01 – Pas mëngjesit me ngrica, gjatë ditës kryesisht me diell.
11.01-12.01 – Të shtunën në mëngjes ngrica dhe pjesërisht vranët. Ditën vranësira dhe intervale me diell. Ditën e diel, paradite me vranësira, e ditën intervale me diell. Në mbrëmje priten kthjellime.
13.01 – Pjesërisht vranët, me intervale më të gjata me diell.
Temperaturat minimale do të luhaten nga -9C deri në -3C, e që në fundjavë do të rriten deri në 0C, ndërsa maksimalet gradualisht do të shënojnë rritje nga 4C, në 6C deri 7C, ditën e premte dhe të shtunë.
Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-2m/s.
Shtypja atmosferike vazhdon të mbetet e lartë dhe do të luhatet kryesisht mbi vlera normale.