Pritet të punësohen 120 gardianë, kritikohet gjendja e qendrave korrektuese

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 15:25 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Nehat Thaçi, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë raportuar në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me gjendjen e institucioneve korrektuese në Kosovë.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se janë në prag të rekrutimit të 120 gardianëve, derisa potencoi që këto pozita janë paraparë në buxhet, raporton Ekonomia Online.

“Një çështje e rëndësishme është favorizimi i njerëzve profesionalë që të udhëheqin qendra korrektuese. Ne e kemi një drejtor në Qeverinë e Kosovës dhe nuk mund të hapim konkurs të jashtëm pa pasë konkurs të brendshëm dhe ne duhet t’u japim përparësi oficerëve të shërbimit korrektues. Unë nuk e shoh të udhës që konkurset të jenë të hapura nga jashtë dhe të vijnë njerëz që nuk e njohin punën nga afër”.

Tahiri bëri të ditur se janë në prag të hapjes së një qendre korrektuese në Prishtinë.

“Qendrat korrektuese në përgjithësi kanë një gjendje të mirë dhe nuk ka situata të pamenaxhueshme. Jemi duke bërë një politikë që ta heqim ngarkesën nga qendra në Dubravë, jemi në prag të hapjes së një qendre në Prishtinë. Jemi në proces të rekrutimit të stafit të ri, ku pritet të vijnë 120 gardianë. Ne e kemi pasë planifikim buxhetin për këto 120 vende”.

Sipas Tahirit, ligjëratat me imamë nëpër burgje do t’i ndihmojnë të burgosurit, raporton EO.

Nehat Thaçi, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, tha se qëllimi i tyre është që të burgosurve t’u japin programe rehabilituese në mënyrë që ata të mund t’i kthehen shoqërisë.

“Sa i përket burgut të Pejës është vërejtur që ka munguar një komunikim institucional. Ne monitorohemi nga shumë organizata ndërkombëtare dhe vendore dhe ne si menaxhment jemi duke marrë rekomandim nga çdo organizatë ndërkombëtare apo vendore që është kompetente, ne do të implementojmë. 80% të burgosurve tanë vijnë për herë të parë në burgje dhe ne duhet t’u ofrojmë programe rehabilituese në mënyrë që të jenë të gatshëm t’i qasen shoqerisë”.

“Na është rekomandu që burgu i Pejës nuk ofron kushte të mjaftueshme për shkak të vjetërsisë, aktualisht aty janë 94 të burgosur. Objektiv i shërbimit korrektues i Kosovës është që të burgosurit mos të kthehen në burgje. Ne shfrytëzojmë 17-18 milionë euro në vit, ndërkaq nuk fitojmë asgjë. Në kuadër të kësaj ne kemi hartu projekte që janë të prekshme. Në burgun e Prishtinës janë rregullu diku 200 shtretër. Është e vërtetë se në burgun e Dubravës ka ende kontrabandë. Nuk është i mjaftueshëm buxheti prej 17 milionë euro”.

Kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu tha se gjendja në qendrat korrektuese nuk është e mirë ashtu siç u paraqit nga drejtori, raporton EO.

“Shërbimi korrektues ka shumë probleme dhe nuk është gjendja kështu siç po e paraqitni. Po filloj me Ligjin e Sanksioneve penale, të burgosurit me të drejtë e kërkojnë kthimin e pakos. Nuk është e ndaluar kontrabanda dhe nuk e ka zgjedhur problemin pakoja e ushqimit. Ushqimi që e hanë të burgosuit nuk është cilësor. Është një përqindje e vogël e njerëzve që e kryejnë burgun e pastaj rehabilitohen. Një çështje tjetër është numri i vogël i punëtorëve socialë, pastaj edhe numri i vogël i stafit. Çështje tjetër është edhe nepotizmi”, tha ai.

Deputeti Frashër Krasniqi tha se burgjet në Kosovë nuk kanë as kushte minimale të mjekimit.

“Në qendrat e paraburgimit nuk u ofrohen as kushtet minimale të mjekimit. Ka trajtim të mangët në aspektin shëndetësorë. Kjo bëhet formalisht pa kurrfarë cilësie. Nuk ka kushte minimale as të pastërtisë e as të higjenës. Nuk ka selektim të të burgosurve sepse një i burgosur që është i dënuar për prerje drurësh është në të njëjtin pavion me një njeri që është dënuar për ndonjë krim”, tha ai.

Shkumbin Demalijaj tha se kushtet në paraburgim në Gjilan kanë qenë të mira.

“Ju drejtor nuk është mirë me pas veten kështu në qef sepse nuk është gjendja krejtësisht ashtu siç po e thuni. Unë mund të flas për gjendjen sa kam qenë në paraburgim, kushtet kanë qenë të mira”.

Të ngjashme