Kroacia dje ka organizuar spektaklin e përvitshëm në Futsall, në Shallat të Zagrebit, ku morën pjesë yje të shumtë të futbollit kroat.
Por, një prej pjesëmarrësve, ndonëse vetëm në tribuna, ishte edhe ish-futbollisti nga Kosova, Kujtim Shala.
“Veçernji List” i Kroacisë thotë se pjesëmarrja e Shalës, ish-lojtar i Dinamos së Zagrebit, ishte befasuese dhe thekson se ai gjithmonë ka qenë i dashur për tifozët. “Bad Blue Boys”, tifozëria e Dinamo Zagrebit, e pritën mbrëmë atë në mënyrë madhështore duke thirrur emrin e tij në kor gjë që e bëri atë të përlotej.
“Gjithmonë kam qenë me ju dhe do të jem deri në fund. Gjithmonë do të jem me “Bad Blue Boys” dhe me Dinamon. Ju falënderoj për këtë pritje. Kudo që kam qen, në cilindo klub, gjithmonë e kam theksuar se Dinamo dhe ‘Bad Blue Boys’ janë më të mirët që kam parë në jetën time”, ka thënë Shala.
Kujtojmë se Shala është paraqitur vetëm njëherë për kombëtaren e Kroacisë, në fitoren 2-1 kundër SHBA-së më 17 tetor, 1990, ndeshje kjo miqësore para se Federata Kroate e Futbollit të pranohej nga FIFA më 1992.
Shala ka qenë edhe trajner i KF Prishtinës. Shkurtin e vitit 2008, pasi Kosova shpalli pavarësinë, ai u emërua kryetrajner i ekipit përfaqësues të Kosovës.
Ai ka luajtur fillimisht për Lirinë e Prizrenit, më pas për Partizanin e Beogradit (1983–1984), për Prishtinën (1984–1989), më pas për Dinamo Zagrebin (1989–1991). Kurse më vonë, ai e provoi veten edhe nëpër shtete tjera evropiane, në Rennes (1991–1992), Stuttgarter Kickers (1992–1993), Chemnitzer FC (1993–1995), Fortuna Düsseldorf (1995–1996), më pas VfB Leipzig (1996–1998) dhe VfR Mannheim (1998–2000).