Gjendja e vështirë e Telekomit të Kosovës mund të vështirësohet edhe më shumë, për shkak se operatorit Vala, më 2019 i kalon licenca për brezat frekuencorë. E për tu rilicnecuar, Vala duhet të paguajë për të vazhduar licencën.
Përveç Valës, edhe IPKO-s i kalon licenca për një brez frekuencor vitin tjetër, por duke e parë performacën e këtij operatori, kjo nuk do të paraqes problem.
Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi në një Intervistë për Telegrafin ka thënë se çmimet për blerjen e brezave frekuencorë do të jenë më të ulëta sesa deri më tani.
“Më 30 korrik të vitit 2019, operatorit telefonik Vala i skadon licenca me të gjitha brezat frekuencorë të cilët i ka në dispozicion: Njëjtë edhe IPKO-s për një brez frekuencor i skadon licenca më 30 korrik 2019, ndërsa për dy breza tjera IPKO-s i skadon më 2022. Kjo nënkupton që rregullatori duhet të përgatitet për rilicencim të këtyre dy operatorëve”, tha ai.
Sipas Gashit të dy operatorët duhet të vendosin për blerjen e brezave aktual frekuencorë por edhe mund të marrin të rinj.
“Licencat do të jepen për afate 15 vjeçare, ku përfshihet edhe zhvillimi i teknologjive të reja pas vitit 2020, siç është 5G”, tha Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të ARKEP-it.
Sipas tij, çmimi për blerjen e brezave të rinj por edhe vazhdimi i tyre do të jetë me kosto më të ulët.
“Ka gjasa reale që kostoja që është paguar para 5 viteve dhe kostoja që paguhet tani të jetë më e vogël, edhe për shkak zhvillimeve në tregun e telekomit – më herët minutat për komunikim janë paguar me çmime më të shtrenjta”, tha ai.
Privatizimi i Telekomit të Kosovës, por edhe hyrja në treg e operatorit të tretë do të varet nga vendimet e Qeverisë së Kosovës.
“Do të jetë vendim i Qeverisë në rast se do të ketë privatizim të Telekomit apo jo. Në rast se ka privatizim të Telekomit dhe në rast se do të ketë privatizim të Telekomit dhe nëse do të ketë kërkesë nga Qeveria në drejtim të ARKEP-it që të presim kohë të caktuar për operatorin e tretë, ne do ta shqyrtojmë një kërkesë të tillë. Si autoritet jemi të thirrur ta shohim gjendjen reale dhe të konsultohemi me Qeverinë për ndarjen e brezave frekuencorë”, ka thënë ai.
Po ashtu në këtë intervistë kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi ka folur edhe për rastin me AXOS-in, për privatizimin e PTK-së ku ka qenë edhe nga tre dëshmitarët kryesorë ku kanë prezantuar çështjen e Kosovës.
Sipas tij, fitimi i rastit është një mesazh për investitorët se kanë të bëjnë me një shtet serioz.