Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në Prizren, ku një person i cili është arrestuar pas një përleshjeje në të cilën ishte përfshirë, dyshohet se ka sulmuar fizikisht edhe zyrtarin policor që po intervenonte në rast.
33-vjeçari dyshohet se gjatë kohës që po shoqërohej në veturën zyrtare të Policisë, ka goditur policin, të cilit i ka shkaktuar lëndime serioze. Zyrtarët tjerë policorë kanë arritur që ta vënë nën kontroll të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion.
Ndërsa zyrtari policor është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, ku sipas burimeve të Sinjalit, pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se shkaku i goditjes ka pësuar frakturë në hundë.
I dyshuari pasi i është nënshtruar testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur dhe të njëjtit po ashtu i është ofruar edhe ndihmë mjekësore.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.