Komuna e Prizrenit ka njoftuar se nga dita e hënë ka filluar ofrimi i shërbimeve shëndetësore në shtëpi për pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe janë në fazën terminale. Sipas njoftimit, ekipet mobile të kujdesit paliativ kanë nisur vizitat te rezidencat e pacientëve për ofrimin e kontrolleve mjekësore, dhënien e terapive si dhe këshillave mjekësore.
“Banorët e Komunës së Prizrenit, përkatësisht personat që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe janë në fazën terminale, nga sot do të kenë mundësi t’i kryejnë kontrollet mjekësore nga shtëpitë e tyre, falë shërbimit të kujdesit paliativ që ofrohet nga ana e Drejtorisë së Shëndetësisë. Ekipet mobile të kujdesit paliativ, të përbërë nga një mjek dhe dy infermierë, sot kanë filluar t’i kryejnë vizitat e rregullta tek shtëpitë e pacientëve për ofrimin e kontrolleve mjekësore dhe dhënien e terapisë apo këshillave mjekësore”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Familjarë të pacientëve që vuajnë nga sëmundje të rënda kanë mirëpritur ofrimin e këtij kujdesi nga ekipet e shëndetit parësor. A.Rr., nëna e së cilës vuan nga kanceri, ka pohuar se shërbimet e tilla janë të domosdoshme për pacientët, të cilët, sipas saj kanë nevojë për kontrolle mjekësore, marrjen e terapisë dhe këshillave mjekësore.