Drejtuesit e Komunës së Prizrenit kanë përsëritur qëndrimin se kjo komunë është e diskriminuar për arsye politike nga niveli qendror sa u përket investimeve kapitale, veçanërisht nga Ministria e Infrastrukturës.
Sipas tyre, hendeku në këto investime ndërmjet Komunës që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje me ato që udhëhiqen nga kryetarët që vijnë nga partitë e koalicionit në nivel qendror është i madh. Por me konstatimet e tilla nuk pajtohen opozitarët lokalë nga PDK-ja e AAK-ja, parti këto që qeverisin në nivel nacional, shkruan sot Koha Ditore.
Shefat e grupeve të këshilltarëve të këtyre partive opozitare në nivel komunal kanë pohuar se Qeveria e Kosovës ka rritur grantin qeveritar për Prizrenin vit pas viti, derisa Ekzekutivi i Prizrenit është treguar i paaftë për të prezantuar dhe nxjerrë projekte nga niveli qendror. Në diskutimet e fundit rreth kësaj çështjeje në Kuvendin e Komunës, të dyja palët kanë paraqitur pikëpamje të ndryshme.