Problemet e arsimit – temë diskutimi mes delegacionit nga Iowa dhe Komisionit për Arsim

Prishtinë | 11 Maj 2018 | 11:19 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka mbajtur takim me delegacionin nga Iowa.

Më pas është shqyrtuar Projektligji për Inspektoratin e Arsimit.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, njoftoi delegacionin për problemet që përballet arsimi në Kosovë.

Ai tha se gjendja e arsimit është e rëndë, raporton ekonomia Online.

“Kuvendi në një rezolutë që është përkrahur nga të gjitha subjektet politike ka miratuar rezolutën ku arsimin e shpallin si prioritet kombëtar. Por më duhet të them se në mes të asaj që kemi shpallur dhe gjendjes në arsim ka dallime të mëdha. Gjendja e arsimit është e rëndë”.

“Problemi më i madh që ka arsimi në Kosovë është cilësia jo e kënaqshme. Problem i madh është se të rinjtë edhe kur t’i kryejnë studimet mbeten të papunësuar. Një problem tjetër është se në arsimin tonë nuk ka një orientim të hershëm, siç ka në vendet tjera”, tha ai.

Dekanja e “University of Northern Iowa”, Gaetane Jean-Marie, tregoi për punën e universitetit dhe punën me studentët, raporton EO.

“E dimë sa kritike është gjendja kur kryen studimet dhe nuk ke punë. Gjatë mësimit profesional, studentët punojnë me mentorë, të cilët i përkasin pikërisht atij profesioni, në mënyrë që studentët të jenë mirë të përgatitur për profesionin përkatës. Gjatë studimeve, studentët ndjekin 750 orë për të marrë mësim profesional”.

Drejtuar pyetjes së deputetes Arbërie Nagavci lidhur me përgatitjen e studentëve që studiojnë e pastaj bëhen mësimdhenës, ajo tha se bëhen përgatitje shtesë.

“Ata ndjekin studimet për 4 vite, mirëpo ata gjithashtu ndjekin kurse të veçanta që të përgatiten për lëmin e caktuar”, tha ajo.

Nezir Çoçaj tha se rezoluta e cila është nxjerrë për arsimin mbetet vetëm verbale, sepse nuk ka buxhet të mjaftueshëm, raporton EO.

“Problemet në arsim janë të mëdha, sidomos kur e kemi parasysh periudhën e fundit. Buxheti në universitet është 32 milionë euro. Ne presim shumë nga ndihmat që kanë dhënë partnerët e ShBA-së. Ne kemi nxjerrë rezoluta por vetëm verbalisht, sepse nëse diçka mund të caktohet prioritet, duhet të ketë edhe buxhet”, tha ai.

Të ngjashme