Problemi me mbeturina, Komuna e Prishtinës ndan rreth 1 milion euro për ndërtimin e kontejnerëve nën dhe mbitokësorë

Prishtinë | 24 Mar 2026 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Ka vite që kryeqyteti i Kosovës është duke u përballur me problemin e mbeturinave.

Hedhja e tyre vend e pa vend, mungesa e kontejnerëve, mosshtimi i hapësirave për vendosjen e tyre, ka krijuar një pamje të shëmtuar për kryeqendrën kosovare.

Mbase, për t’i dhënë fund situatës së rënduar, Komuna e Prishtinës ka hapur “kuletën”, duke ndarë rreth një milion euro.

Me këto mjete, komuna që udhëhiqet nga Përparim Rama, ka paraparë ndërtimin e disa kontejnerëve në disa lagje të kryeqytetit, për çka ka hapur edhe tenderin.

Sipas dosjes së tenderit, do të bëhet ndërtimi i kontejnerëve mbitokësorë dhe nëntokësorë, si dhe të bëhet furnizimi e zgjerimi i tyre.

“Ndërtimi i kontejnerëve mbitokësor dhe nëntokësor, furnizimi dhe zgjermi Zona1 Qendra – Tophane, Dodona, Bregu i Diellit, Ulpiana, Dardania, Lakërishta dhe Zona 2 Kodra e Trimave, Bernicë e Epërme”, thuhet në dosjen e kontratës, e cila kap vlerën e 950 mijë eurove.

Në të njëjtën ditë, Komuna e Prishtinës ka ndarë edhe 550 mijë euro të tjera për mirëmbajtjen e kryeqytetit.

Të ngjashme