Procesi i Berlinit konsiderohet platforma më e mirë për zhvillim ekonomik – BE-së i kërkohet heqja e masave

Prishtinë | 22 Maj 2024 | 10:49 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Integrim Evropian në bashkëpunim me GIZ-in, kanë organizuar tryezën me temën “Rritja e integrimit rajonal: Roli i Kosovës në Procesin e Berlinit dhe në kryesimin e CEFTA-s”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se Procesi i Berlinit, është një ndër platformat më të mira për të pasur zhvillim ekonomik, ndërsa për Kosovën konsiderohet të jetë ndër shtetet më profesionale në përmbushjen e obligimeve që kanë dalë krahasuar me vendet tjera të CEFTA-s.

Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, tha se Kosova është e përkushtuar që t’i zbatojë reformat në mënyrë që të përfitojë shteti e rajoni.

Me këtë rast, ajo kërkoi nga Bashkimi Evropian që t’i heq masat e vendosura ndaj Kosovës.

“Si kryetare e komisionit kam pasur privilegjin të dëshmoj hapat e rëndësishëm që ka bërë Kosova drejt Integrimeve Evropiane. Procesi i Berlinit i nisur në vitin 2014 përfaqëson një platformë të rëndësishme për nxitjen e zhvillimit ekonomik. Kosova ka qenë pjesëmarrëse aktive në procesin e Berlinit dhe ne mbesim të përkushtuar për promovimin e rritjes ekonomike. Përfshirja e Kosovës tregon gatishmërinë tonë për të punuar me fqinjët tanë. Kosova në vitin 2025 ka nderin të marrë kryesimin e marrëveshjes së CEFTA-s. Kosova do të jetë e përkushtuar në rritjen e lehtësimit të tregtisë dhe nxitjen e një tregu më konkurrues dhe më të integruar. Ne jemi të fokusuar në zbatimin e reformave që jo vetëm do të përfitojë ekonomia jonë por edhe do të kontribuoj në prosperitetin e rajonit. Iu bëj thirrje BE-së që të hiqen masat ndaj Kosovës sepse Kosova është vend evropian dhe asaj duhet t’i hapet rruga drejt Bashkimit Evropian bashkë me vlerat demokratike të saj”, u shpreh Krasniqi.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, Zef Dedaj, deklaroi se Kosova, tashmë, ka dizajnuar politikat e nevojshme, të cilat janë në harmoni me ato të Bashkimit Evropian.

Andaj, ai theksoi se Kosova do t’i zbatojë të gjitha obligimet në mënyrë profesionale, teksa shtoi se vendi po perfomon shumë mirë krahasuar me shtetet e rajonit.

“Padyshim se kjo do të jetë sfiduese, por Kosova ka bërë një eksperiencë të jashtëzakonshme. Duke e ditur rëndësinë e tregut dhe Samitit të Berlinit, Kosova menjëherë kishte filluar që të dizajnojë politikat e nevojshme, që janë në harmoni me politikat ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian. Unë insistoj dhe mendoj që Kosova ka qenë në disa fusha shteti më profesional në përmbushjen e obligimeve që kanë dalë krahasuar me vendet tjera të CEFTA-s. Ka edhe shumë raporte tjera ku Kosova performon shumë mirë dhe është shumë më mirë e renditur se shtetet e rajonit. CEFTA është një mekanizëm i domosdoshëm për Kosovën, sepse neve na obligon ti zbatojmë obligimet që kanë dalë nga Samiti i Berlinit”, shtoi ai.

E zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Mathias Conrad, kërkoi nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të gjejnë zgjidhje “kundër rrethanave të vështira politike”.

“Procesi i Berlinit sivjet feston 10-vjetorin dhe po dëgjojnë fjalën se ai po kthehet tek shtëpia por është pjesërisht e vërtetë pasi ai s’ka të bëj me Berlinin por me Ballkanin Perëndimor. Andaj vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë në gjendje me ngrit pesha të renda dhe të gjejnë zgjidhje kundër rrethanave të vështira politike, por ju jeni ata qe duhet me e bë punën, dhe ta keni të qartë që Qeveria do vazhdoj me punu për hapjen e burimit dhe kemi ambicie te larta, duke ofruar partneritet të votuar në Tiranë, ambicien e kemi të lartë dhe gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Ndërsa ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së CEFTA-s, Danijela Gaçeviq, tha CEFTA është parë si një gurthemel i krijimit te qasjes për tregjet e BE-së.

“Unë do të përshkruaj se çka është ajo që ne e bëjmë pasi prapa nesh është një rrugë shumë komplekse. CEFTA është parë si një gurthemel i krijimit te qasjes për tregjet e BE-së dhe roli i saj është i dyfishtë pasi ne përpiqemi t’i përkrahem kompanitë në ketë rrugëtim shumë kompleksë. Jemi të përfshirë në aktivitete tregtarë, mallra shërbime dhe çështje tjera”.

Të ngjashme