Prodhimet bimore dhe blegtorale për vitin 2018 krahasuar me vitin 2017 kanë shënuar rënie për 2.6 për qind. Kështu thuhet në raportin “Llogaritë Ekonomike në Bujqësi, viti 2018” prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Agjencia në raport thotë se konsumi i ndërmjetëm është vlerësuar gjithsej rreth 302.0 milionë euro në vitin 2018, që paraqet një rritje prej 10.6 për qind në krahasim me vitin 2017.
“Në vitin 2018, prodhimet bimore kanë shënuar rënie për 3.8 për qind krahasuar me vitin 2017. Rënia në vlerën e prodhimeve bimore mund të shpjegohet kryesisht me rënien e prodhimit të perimeve dhe prodhimeve të kopshtit, si dhe të patateve. Kurse, prodhimet blegtorale po ashtu kanë shënuar rënie për 0.9 për qind në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017. Rënia mund të shpjegohet me rënien e vlerës së produkteve blegtorale”, vijon raporti.
Publikimi përfshinë të dhëna për prodhimet bimore, prodhimet blegtorale dhe shpenzimet në fermë, në terma monetarë, ndërsa vlerat janë prezantuar me çmimet e prodhimit, çmimet aktuale dhe konstante.