Prodhues të mëdhenj makinash janë duke paditur Qeverinë e Shteteve të Bashkuara për taksat e importit që ka vendosur mbi pjesët kineze.
Tesla është bërë firma e fundit e automjeteve që i kundërshton detyrimet doganore, të paraqitura nga administrata e presidentit Donald Trump, dhe kërkon rimbursime.
SHBA-ja dhe Kina kanë vendosur taksa kufitare mbi mallrat dhe shërbimet e njëra-tjetrës, në kuadër të një lufte tregtare.
Një numër padish raportohet të jenë paraqitur, ditëve të fundit, nga prodhuesit e makinave në Gjykatën e Tregtisë Ndërkombëtare, në Nju Jork.
Mercedes-Benz, në padinë e tij, e ka akuzuar Uashingtonin për “ndjekjen e një lufte të paparë dhe të pakufizuar tregtare, që ka ndikuar në mbi 500 miliardë dollarë importe nga Republika Popullore e Kinës”.
Tesla ka thënë se tarifat janë “arbitrare” dhe “abuzim me lirinë e veprimit”.
Trump, prej kohësh, e ka akuzuar Kinën për praktika të padrejta tregtare dhe vjedhje të pronës intelektuale.
Në Kinë, ekziston një perceptim se Amerika po përpiqet ta frenojë rritjen e saj si një fuqi ekonomike globale.
Këtë muaj, Organizata Botërore e Tregtisë ka konstatuar se tarifat e vendosura nga SHBA-ja ndaj mallrave kineze, janë “në kundërshtim” me rregullat e tregtisë ndërkombëtare.
Lufta tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë ka nisur në vitin 2018.