Ka shumë përkufizime për atë që do të thotë të jesh i pasur.
Të qenit i pasur është më shumë çështje mendësie se çështje sasie parash. E vërteta është që të pasurit mund të jenë të varfër, e të varfrit mund të jenë të pasur.
Për shembull, edhe një familje me pesë anëtarë, që ndan me dashuri një copëz bukë në një vend të varfër, mund të jetë e pasur. Edhe një familje me pesë anëtarë që jeton në një vilë me 12 dhoma, mund të mos përballojë dot gjithë pagesat luksoze që do të donte mes shtresës së lartë.
Praktikisht, të jesh i pasur do të thotë t’i kesh të gjitha. Idealja do të ishte një kombinim i të gjithave situatave: një familje e lumtur që shijon një ushqim të bollshëm në një shtëpi të madhe. Dhe po, kjo është e mundur. Por që të arrish këtë lloj pasurie, këtë lloj paqeje personale e këtë lloj lumturie, duhet të jesh i vendosur që në fillim.
Pra, duhet të kesh aftësinë ta shijosh pasurinë që ke. Disa njerëz punojnë gjithë ditën, bëjnë para, por i lënë familjet pas dore gjatë procesit. Ka të tjerë që përqendrohen aq shumë te familjet sa nuk angazhohen dot plotësisht në punë, për shkak të detyrimeve. Sigurisht, ekuilibri mes të dyjave është ajo që të bën të gjesh pasurinë e vërtetë, por duhet të kesh dhe aftësinë që ta shijosh.
Nëse do që t’i kesh të gjitha në jetë, këto janë pesë mënyrat që të bëhesh i pasur:
E para fare, duhet të kesh mendësi prodhuesi, jo konsumatori. Përpjekja juaj e parë duhet të jetë që nga konsumator, të kaloni në prodhues. Ç’do të thotë kjo? Konsumatorët hanë pica. Prodhuesit bëjnë pica. Konsumatorët shohin filma. Prodhuesit bëjnë filma. Konsumatorët kërkojnë punë, prodhuesit japin punë. Çdo milioner pa përjashtim është prodhues. Vetëm prodhuesit pasurohen.
Prodhuesit mund të ofrojnë jo vetëm produkte, por edhe operime në zemër, libra që shiten shumë, etj. Kur të keni përshtatur mendësinë e prodhuesit, do të jeni të pasur.
Së dyti, duhet të njihni se sa fitoni në ditë me përpjekjet që bëni në ditë. Çfarë do të thotë kjo? E keni llogaritur se sa para i bie të fitoni fiks në ditë, me aq punë sa bëni? 10 dollarë? 100? 500? Pastaj mendoni se çfarë duhet të bëni që ta dyfishoni atë shifër. Për shembull, kur unë nisa biznesin, vlera ime ishte 200 dollarë në ditë. Nuk doja të qëndroja në atë shifër, ndaj kërkova mënyra të tjera për ta përmirësuar punën që u ofroja klientëve.
Çfarë mund të bësh që të shtosh fitimet ditore? Llogarit përpjekjet ditore që jep për atë shifër, dhe dyfishoji. Nëse po bën 10 telefonata në ditë në një “call center”, fillo bëj 20. Nëse je dado e një fëmije, fillo të mbash dy fëmijë. Sigurisht, është mirë të ruash edhe cilësinë e punës teksa i shton përpjekjet. Si bëhet kjo? Numri tre.
Së treti, duhet të jesh i aftë të sakrifikosh gjithçka. Shumica e njerëzve kanë frikë të bëjnë sakrifica, sepse i bie të humbasin diçka. Një nënë që e rrit fëmijën e vetme mund të mos sakrifikojë të blejë një libër që kushton 20 dollarë, por që një ditë mund ta ndihmojë fëmijën të fitojë 20 mijë dollarë. E njëjta nënë që ka frikë nga kjo sakrificë, mund t’i blejë fëmijës një lodër po aq të shtrenjtë që ta bëjë të lumtur.
Por para se të bëhesh i pasur, duhet të bëhesh i varfër. Përjashto fituesit e lotarive apo trashëgimtarët, ju jeni ata që duhet të paguajnë me sakrifica, e madje të jenë gati të sakrifikojnë gjithçka. Duhet të keni forcën që të përballoni më të keqen, nëse doni që të arrini më të mirën. Kjo do të thotë që mund t’ju duhet të qëndroni larg kënaqësive ditore, vetëm për të arritur qëllimin e madh. Në fund do t’ia vlejë.
Kur ngurroni të rrezikoni, pyesni veten: “Cila është më e keqja që mund të ndodhë po ta ndërmarr këtë rrezik? Cila është më e mira që mund të ndodhë?” Duhet të keni forcën për të sakrifikuar gjithçka, për t’u bërë të pasur, edhe po të jetë qindarka e fundit.
Së katërti, kalojeni kohën e lirë me gjëra të pasurish. Njerëzit që nuk bëhen dot të pasur, janë ata që pëlqejnë ta kalojnë kohën e lirë në vende të varfrish. Njerëzit futen shumë shpesh në mjedise të varfra ku kanë rrotull vetëm njerëz të varfër. Nëse rri me të varfër, nuk bëhesh kurrë i pasur.
Kur isha adoleshent, e kaloja kohën e lirë duke luajtur basketboll me njerëz negativë, në vende ne gative. Ata pinin duhan, shpenzonin para më kot dhe bënin gjëra të tjera të padobishme. Edhe pse nuk bëja të njëjtën gjë, mjedisi ku isha ndikonte shumë prodhimtarinë e jetës sime. Shumë njerëz i tolerojnë thashethemet, dhunën e dramën që kanë rrotull, por kjo përfundon duke i ndikuar dhe ata vetë. Unë lashë të qëndruarit me ata dhe nisa ta kaloj kohën e lirë duke vizituar shtëpi luksoze që dilnin në shitje, ose tregje makinash të shtrenjta. Kjo më ndryshoi jetën.
E pesta, përdore talentin për të pasur fitime. Disa njerëz kanë shumë talente, disa të tjerë kanë vetëm një talent. E rëndësishme është ta kuptosh se çfarë talenti ke dhe ta përdorësh në mënyrë të dobishme. Njerëzit shpesh tregohen modestë dhe e ulin vlerën e talenteve të tyre, ose lejojnë të tjerë më pak të talentuar që t’i bëjnë gjërat, në vend që t’i ndërmarrin vetë. Duhet t’i kultivoni talentet dhe ta rrethoni veten me njerëz që ju mbështesin.
Talentet mund të mos jenë të dukshme. Shkolla, vendet e punës apo vendet fetare rrallëherë i nxitin njerëzit të ndjekin talentet që kanë e t’i përmirësojnë. Kështu që, shumica, të shtypur nga presioni financiar dhe shoqëror, apo nga konformizmi, përfundojnë duke ulur kokën e duke u përshtatur te mjedisi që kanë rrotull, në vend që të përdorin atë që i dallon nga të tjerët e të ngrihen lart.
Unë personalisht kam dashur gjithnjë të tregoj historinë time. Talenti im ishte të shkruaja. Nisa të shkruaj artikuj e të jap fjalime falas. Prej kësaj pata mundësinë të lidhem me miliona njerëz, edhe pse në shkollë kisha dalë shumë keq në gramatikë. Por sa më shumë i përdor talentet, aq më i lumtur dhe i pasur do të jesh. Talentet do të të hapin rrugën më pas.
Paraja vazhdon të printohet çdo ditë. Sigurohu të shkosh e ta kapësh atë që takon. Paraja është mjeti që të jep mundësinë të jesh më shumë se ç’je. Mjaft mbijetove, por fillo të ngresh kokë. Po të angazhohesh për pasurinë, mund të marrësh shumë pushtet.
(Autori është sipërmarrës)