Prodhuesit vendës po e përkrahin zëvendësimin e taksës prej 100% ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja, me reciprocitet të plotë, propozim ky nga kreu i Qeverisë Albin Kurti.
Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se do ta përkrahin idenë e reciprocitetit vetëm zbatohet në të gjitha aspektet.
“Ne do ta përkrahim idenë e reciprocitetit, por vetëm ky reciprocitet duhet të zbatohet në të gjitha aspektet sidomos në aspektin e certifikatave dhe pikave tjera që kemi bllokadë nga Serbia”
“Ideja e heqjes së taksës dhe vendosjes së reciprocitetit është diskutuar edhe nga bizneset. Ne si organizatë kemi qenë pro reflektimit sa i përket taksës dhe i kemi jap argumentet tona se në aspektin ekonomik duhet t’i shikojmë hapat e mëtutjeshëm dhe krim ardhur në përfundim që reciprociteti duhet të përcillet në të ardhmen”.
“T’i jep mundësi dialogut politik dhe me krijimin e dialogut politik ne shpresojmë që do të zgjidhen edhe çështjet e hapura me Serbinë dhe pastaj t’i vije radha ekonomisë”, tha Panxha.
Me tutje ai theksoi se duhet të rregullohet tregu i brendshëm në mënyrë që prodhuesit të kenë mundësi për shitjen e produkteve të tyre.
“Ne kemi luftuar që të rregullohet gjithmonë tregu i brendshëm i Kosovës dhe ne besojmë që me rregullimin e tregut të brendshëm edhe prodhuesit do të kenë mundësi më të mëdha për shitjen e produkteve”.
“Ne besojmë që doganat dhe autoritetet duhet të bëjnë punën e vet në kufirin me Serbinë që mos të na futen produkte në formë ilegale dhe që janë në dëm dhe kjo është porosia jonë që tregtia të jetë e barabartë sepse në qoftë se nuk është e barabartë atëherë veç njëra palë fiton dhe në të kaluarën ka fituar vetëm Serbia”.
Edhe pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka përkrahur idenë e qeverisë Kurti për heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit të plotë.
Sipas Pirajt, reciprociteti do të ketë ndikim më të madh se sa taksa. Siç tha ai reciprociteti do të ndalojë edhe eksportimin e produkteve derisa Serbia ta njoh Kosovën si shtet.
“Ne si prodhues kemi kërkuar që të ketë reciprocitet se më të vërtet Serbia ka bërë barriera të ndryshme fiskale, jo tarifore me të cilat i ka tejkaluar produktet kosovare që të eksportohen në Serbi. Serbia vazhdimisht e mohon ekzistencën e Kosovës dhe nuk lejon transit të mallrave nëpër Serbi. Ky do të ishte një reciprocitet që t’i kundërvihemi asaj mënyrë dekunstruktive me të cilën Serbia vazhdimisht është marrë me Kosovën.
“Kemi marrëveshje që janë nënshkruar e që garantojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë. Reciprociteti ka mundësi që të ketë ndikim edhe më të madh se taksa. Nëse një produkt e ka tejkaluar taksën dhe është eksportuar me Kosovë, tani e tuje nuk do të mund të eksportohet asnjë produkt derisa Serbia ta njeh Kosovën”, u shpreh Piraj.
Me tej, Piraj potencoi se reciprociteti është akt politik por që do të ketë ndikim në ekonomi, raporton EO.
“Unë e përkrahi reciprocitetin, edhe taksa janë akte politik, nuk kanë të bëjnë me ekonomi. Duhet ta kuptojnë qytetarët se kanë pasur ankesa se kanë ndryshuar çmimet. Taksa nuk i ka rritur çmimet sa është dashur të rriten, sepse produktet që vijnë nga Serbia nuk duhet të blihen nga tregu kosovar. Edhe pse janë akte politike, ndikimi i tyre në ekonomi është i dukshëm”, ka thënë Piraj.
Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, po konsideron që cili do që të jetë vendimi i Qeverisës për heqje të taksës apo për vendosje të reciprocitetit do ta mbështesin dhe e përkrahin.
Ai shprehet se kanë pasur përfitime nga taksa 100%, por që tashmë konsumatorët janë vetëdijesuar për vlerën e produkteve vendëse.
“Efektet e taksës 100% nuk mund të zëvendësohen me ato të reciprocitetit por sigurisht që interesi i Kosovës është shumë më i madh sesa interesi i joni si prodhues dhe shihet që Kosova është para një trysnie të madhe ndërkombëtare dhe sigurisht që kjo është rruga e vetme në të cilën Qeveria e Kosovës do të ndërmerr këtë hap, por unë besoj që efektet e taksës do të vazhdojnë të jenë sepse përveç që janë konsoliduar kompanitë prodhuese të Kosovës”.
“…në anën tjetër është rritur edhe vetëdijesim i konsumatorëve për produkte vendore. Kjo është një sakrificë e vogël dhe mendojmë që ja vlen dhe është domosdoshmëri dhe do ta mbështesim çfarëdo vendimi të qeverisë së Republikës së Kosovës”.
Por pronari i kompanisë “Relux”, Ramiz Gashi, thotë se taksa është vendim politik dhe nuk ka ndikuar në biznesin e tij.
Gashi deklaroi se pas vendosjes së taksës, kompanitë kosovare kanë zëvendësuar produktet e tyre me produktet e rajonit.
“Janë më shumë politike, taksa ka rritur një qëllim të vetin. Direkt në kompaninë tonë nuk ka ndikuar as pozitivisht e as negativisht. Tregtarët apo konkurrentët tonë produktet e Serbisë i kanë zëvendësuar me produktet e rajonit. Duke filluar prej Sllovenisë, Maqedonisë, dhe Shqipërisë. Nuk e di se çka do të ndikonte reciprociteti te ne, shpresoj të jetë diçka e mirë. Por nuk besoj që do të ndikoj as pozitivisht e as negativisht”.
Me tej, Gashi thotë se qytetarët duhet t’i duan prodhimet vendëse, meqenëse tha ai se pas heqjes së taksës Serbia do të jetë agresive.
“Nuk kish pasur nevojë më pas asnjë taksë e as reciprocitet. Populli t’i adhuroj pak më tepër prodhimet vendore t’i përkrah ato. Njëkohësisht kemi mbështetje edhe prej shtetit tonë. Serbia do të jetë agresive për tregun e Kosovës. Prej Qeverisë ne si prodhues presim që të kemi mundësi dhe të jemi të gatshëm në tregun e Kosovës”.
Qeveria e Kosovës ka marr me 21 nëntor të vitit 2018 vendosi taksën prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.