Prodhuesit vendës po kanë hapësirën për të ekspozuar prodhimet e tyre.
Kjo po bëhet edhe në ditën e dytë të Panairit të produkteve bujqësore, agroindustriale dhe tregtisë inverse “Prishtina 2018”, në të cilin po marrin pjesë 36 kompani vendore dhe një nga Italia.
Në këtë panair me një interesim mjaft të madh po e presin kompanitë kosovare të cilat prodhojnë produkte vendore.
Ata shprehen të kënaqur me pasi që ky panair ndihmon drejtë interesimit të qytetarëve për produkte vendore.
Arben Gashi menaxher i shitjes nga kompania “Frtuex” tha për Ekonomia Online, se ky panair po i ndihmon mjaftë shumë prodhuesit vendor për promovimin e produkteve të tyre.
“Sot është dita e dytë e panairit të agrobiznesit, si kompani “Frutex” vazhdimisht jemi pjesë e panaireve të tilla. Ky panair i mbështet vazhdimisht prodhuesit vendor. Ky panair është mbështetës i produkteve vendore si dhe i atyre që i donë produktet vendor. Për neve si kompani panairet janë shumë të rëndësishme pasi që na ndihmojnë në promovimin e produkteve tona. Nga viti në vit po shkon duke u rritur interesimi për produkte vendore mirëpo karshi kësaj është rritë edhe cilësia e produkteve vendore”, tha Gashi.
Ndërsa Artidon Gashi menaxher në fabrikën ushqimore në “Elkos – Egi Group”, tha se panairet e tilla rrisin edhe më shumë cilësinë e produkteve vendore.
“Tash në ditën e dytë të panairit të agrobiznesit ka pasur një numër të konsiderueshëm të vizitorëve. Për vizitorët do ketë edhe udhëtim me autobus pa pagesë për me iu mundësua qytetarëve të njihen sa më shumë me prodhime vendore, që ta shohin se ka produkte vendore dhe cilësi të mira të tyre, sidomos ta shohin se ka edhe artikuj që nuk janë të pa zëvendësueshëm. Këto panaire na ndihmojnë shumë për promovimin e artikujve tanë që të na njohin më shumë. Ka cilësi ka kualitet ka lloje të ndryshme të artikujve që i promovojmë ne si kompani”, tha Gashi.
Gashi gjithashtu komentoi edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës, duke thënë që ky vendim i përkrahë shumë ata si prodhues, pasi që rritet edhe më shumë vetëdijesimi i qytetarëve për të konsumuar produkte vendore.
“Një numër është i vetëdijshëm për rëndësinë e produkteve vendore, besoj që tash edhe me këtë taksën e vendosur do të rritet edhe vetëdijesimi më shumë sepse kjo është një përkrahje mjaftë e madhe e prodhuesve vendorë. Ky vendim i qeverisë është një vendim i mirë edhe për kompanitë edhe për prodhuesit. Pasi që edhe ka prodhime vendore të cilat kanë një cilësi mjaftë të madhe, pse mos i provu kur janë të vendit tonë, janë prodhime tona”, shtoi Gashi.
Përndryshe, qëllimi i këtij panairi, që e ka organizuar Oda Ekonomike e Kosovës, është që të promovohen dhe ekspozohen produktet e këtyre kompanive dhe rritja e vetëdijesimit të qytetarëve për produktet vendore.
E fokusi është shporta e produkteve kosovare, prandaj nën moton #ShportaJonë po promovohen kompanitë e pranishme.
Ky panair është i një dimensioni më ndryshe pasi që organizohet brenda kornizës së ngjarjeve të lidhura me javën e CEFTA-së, ku do të marrin pjesë akterët më të rëndësishëm që shtyjnë drejt rrjetëzimit dhe zhvillimit të bizneseve të Ballkanit Perëndimor.