Producenti i TV Planet: Martin Berishaj është akteri kryesor i këtij rrëfimi

Prishtinë | 23 Pri 2022 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Gazetari dhe producenti i TV Planet, që është media e cila e zbuloi skandalin financiar në Slloveni ku u raportua se është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka thënë se të gjitha dokumentet e publikuara janë të vërteta.

Bojan Pozhar, në një intervistë për Albanian Post, tha se “(Martin Berishaj) është akteri kryesor i këtij rrëfimi, ai është themeluesi i ndërmarrjes të lartpërmendur (MB Consulting), ai ka pranuar paratë dhe ai ka transferuar paratë tutje”.

Ai ka thënë, se në bazë të dokumenteve që ata kanë siguruar, dhjetë ditë pasi u themelua ndërmarrja “MB Consulting” në Mal të Zi kanë filluar të rrjedhin pagesat nga filiala e GEN-it në Beograd.

“I kam parë dokumentet, në TV Planet i kam shikuar dokumentet dhe momentalisht çështja është kështu: ambasadori Berishaj ka themeluar ndërmarrjen MB Consulting në Mal të Zi dhe përafërsisht dhjetë ditë pas themelimit të kësaj ndërmarrje kanë filluar të rrjedhin pagesat nga filiala simotër e ndërmarrjes shtetërore sllovene GEN-i në Beograd”.

“Kështu filiala e ndërmarrjes GEN-i në Beograd ka kryer pagesa në xhirollogarinë e ndërmarrjes së ambasadorit në Mal të Zi në Podgoricë, ka filluar të bëjë pagesa në shumat 10.000, 20.000, shuma më e madhe ka qenë rreth 50.000 euro, shuma e përgjithshme e pagesave është përafërsisht 600.000 euro”, deklaroi ai.

Pozhar ka deklaruar se ambasadori kosovar “menjëherë pas pranimit të pagesave, ka bërë tërheqjen e të hollave, të cilat pastaj do t’i bartte te Robert Golobi në Lubjanë”.

Gazetari i TV Planet përmend edhe faktin se në kohën kur ndodhi e gjithë kjo, “Robert Golobi ka qenë Kryetar i Bordit të ndërmarrjes shtetërore energjetike sllovene. Më vonë supozohet se këto para Robert Golobi i ka investuar në disa fonde financiare italiane, të cilat ia mundësojnë investitorëve anonimitetin”.

Pozar në intervistë ka përmendur gjithashtu faktin se “ambasadori është gjithashtu themelues edhe i një ndërmarrjeje në Prishtinë të përbashkët me Janez Bukovnikun një personalitet i njohur në Slloveni, i cili njëkohësisht ka qenë drejtor i Lotarisë sportive të Sllovenisë, me të cilin ambasadori ka ndërmarrje në Prishtinë”.

TV Planet publikoi dokumente që pretendonin se është bërë një bartje e parave nga filiala e kompanisë energjetike GEN-i në Beograd në kompaninë “MB Consulting” që është në pronësi të ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, të cilat më pas ky i fundit i ka tërhequr dhe ia ka dërguar politikanit opozitar slloven, Robert Golob.

Të ngjashme