Producentja e James Bondit, Barbara Broccoli, ka insistuar se nuk ka në plan ta bëjë 007 një femër.
Adhuruesit nuk e kanë fshehur dëshirën e tyre për ta parë një aktore femër të angazhuar në rolin e agjentit ikonik të shërbimit sekret britanik, por në një intervistë për “Variety” Broccoli këmbënguli që ndryshimi gjinor nuk është opsion.
“Ai mund të jetë i çfarëdo ngjyre, por është mashkull”, tha ajo për mënyrën sesi ajo dhe gjysmë vëllai dhe bashkëproducenti Michael G. Wilson do t’i qasen angazhimit të zëvendësimit të Daniel Craig pas No Time to Die të vitit 2020.
Ajo vazhdoi: “Besoj se duhet të krijojmë karaktere të reja për femrat – karaktere të forta femrash. Nuk jam veçanërisht e interesuar ta marr një karakter mashkull dhe atë ta luajë një femër. Mendoj se femrat janë shumë më interesante se kaq.”
Derisa Broccoli mund të mos dëshirojë që një aktore femër ta ketë rolin kryesor në ndonjë film të James Bondit, në filmin e ardhshëm paraqitet një femër 007, në formën e personazhit të aktores britanike Lashana Lynch, Nomi – e cila e merr përsipër emrin e tij të koduar kur Bondi pensionohet, shkruan KOHA Ditore.
Angazhimi i pestë dhe i fundit i Craig në franshizë, ku 17-vjeçarja Billie Eilish e këndon kolonën zanore, debuton në kinema më 3 prill 2020.