Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova gjendet në situatë të ndërlikuar politike, me sfida për formimin e institucioneve të reja, raporton Ekonomia Online.
Rezultati i ngushtë dhe mospajtimet mes partive politike kanë krijuar një ngërç, duke e bërë të paqartë rrugën drejt një qeverie të re, vlerësoi profesori universitar Milazim Krasniqi.
Ai tha për Ekonomia Online se është skeptik që do të formohet qeveria shpejt.
“Rezultati i zgjedhjeve është kaq i ngatërruar, saqë shumë vështirë mund të gjendet një formulë qeverisëse, aq më tepër kur shihen raportet ndërmjet partive politike, programet e tyre. Unë jam skeptik që do të formohet qeveria shpejt, së pari për shkak të këtij rezultati të ngatërruar dhe e dyta edhe për shkak të mungesës së vullnetit për kompromisin ndërmjet partive, ashtu që rreziku është që gjërat të tejzgjaten dhe Kosova të humbë edhe më shumë kohë, edhe në konsolidimin e institucioneve, po edhe në zgjidhjen e problemeve, qofshin ato ekonomike, qofshin edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Përveç pasojave të brendshme, profesor Krasniqi, ka paralajmëruar edhe rreziqet që vijnë nga vonesat në krijimin e qeverisë, duke përmendur situatën e ndërlikuar ndërkombëtare, në të cilën gjendet Kosova.
Sipas tij, vendi nuk e ka luksin të zvarrisë procesin e formimit të institucioneve, pasi tashmë ndodhet nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, presioni diplomatik nga SHBA-ja dhe në një krizë ekonomike në përkeqësim.
“Kosova nuk e ka komoditetin asnjë ditë ta zvarrisë formimin e qeverisë, për shkak se momentalisht është nën sanksione të BE-së, është nën presion dhe izolim amerikan, është në krizë të theksuar ekonomike, me mungesë të investimeve të jashtme. Kështu që sa më shpejt të formohej qeveria, do të ishte aq më mirë, por po them me këtë mungesë vullneti dhe këtë lloj komoditeti, indikator nuk po ka që do të lëvizet shpejt”, ka thënë profesori universitar Milazim Krasniqi.