Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi, lidhur me unifikimin e pagës, primare dhe sekondare, për stafin akademik të Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, të cilët ushtrojnë shërbime shëndetësore të nivelit terciar.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani falënderoi ministrin e Arsimit dhe rektorin e UP-së, të cilët kanë përkrahur idenë për pagat e profesorëve dhe asistentëve në Fakultetin e Mjekësisë.
Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se nënshkrimi i këtij memorandumi është hap i rëndësishëm, pasi profesorët do të marrin një pagë të unifikuar për ligjërim, si dhe për punën klinike që bëjnë.
“Fakulteti i Mjekësisë është një fakultet specifik i cili brenda kurikulave e ka të integruar edhe komponentën e punës praktike, përgatitjen e mjekëve jo vetëm si shkathtësi teorike por praktike dhe shumica e mësimdhënësve përpos që janë pedagog të këtij fakulteti punojnë edhe në klinikë”, tha ministri Bajrami.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marian Dema tha se me nënshkrimin e këtij memorandumi do të zgjidhen shumë probleme.
“Universiteti i Prishtinës ka punuar në mënyrë intensive që të vijë deri te ky moment i nënshkrimit dhe sigurisht është veç fillimi, janë edhe disa çështje teknike të cilat duhet të adresohen. Me këtë memorandum natyrisht se Universiteti i Prishtinës do të fitojë shumë në funksionalizimin e mbajtjes së ligjëratave, pasi që profesorët kanë natyrën shumë dinamike”, u shpreh Dema.
Implementimi i këtij Memorandumi do të mbikëqyret nga Këshilli i përbashkët profesional i tri subjekteve nënshkruese dhe pritet të realizohet nga janari i vitit që vjen .