Tre profesorë të lëndëve mjekësore në dy paralelet e Mjekësisë në Podujevë janë duke e bojkotuar mësimin që nga 24 prilli i këtij viti, pasi ata nuk kanë marrë asnjë pagë prej se janë angazhuar në shtatorin e vjetëm.
Për shkak të kësaj, 66 nxënësit e këtyre dy paraleleve që funksionojnë në objektin e shkollës së mesme ekonomike “Isa Boletini” e që janë paralele të Shkollës së Mjekësisë “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë, kanë mbetur pa mësimdhënësit e lëndëve bazë, shkruan sot Koha Ditore.
Dy prej tyre, edhe pse e kanë konfirmuar se nuk do të ligjërojnë derisa t’i marrin pagat, nuk janë shprehur të gatshëm që të deklarohen për media. Dardan Sheholli ka thënë se janë në negociata me Drejtorinë e Arsimit në Podujevë dhe nuk dëshiron të flasë për media, vetëm në rast se dështon dhënia e mjeteve nga ana e Komunës së Podujevës. Ndërsa Ganimete Haxhiu ka kërkuar që të kontaktohej më vonë, pasi të lirohej nga një takim, por ajo pastaj nuk e ka hapur telefonin. Që të dy këta janë munduar që të “tregojnë” se ku mund të merren informacionet për problemet me të cilat ballafaqohen vetë ata.