Ndaj deklaratës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, ku ajo fyen liderët shqiptarë të Kosovës, ka reaguar profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit, në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir.
Në një postim në ‘Facebook’, Ben Meir e ka quajtur raciste deklaratën e kryeminstres serbe, transmeton Mapo.
“Koment racist nga kryeministrja serbe Bërnabiq, e cila i referohet kosovarëve si “njerëz të ardhur nga xhungla/mali”. Zhgënjim të shohësh politikanët e rinj në Beograd me të njëjtën diskurs politik si regjimi i Milosheviqit. Federica Mogherini duhet të reagojë”, ka thënë profesori amerikan.
Alon Ben-Meir ka publikuar fotografitë e shqiptarëve me të njohur në botë, mes te cileve Nënë Tereza, Majlinda Kelmendi, Dua Lipa, Rita Ora, Granit Xhaka, duke shkruar: “Vetëm për t’ia kujtuar kryeministres serbe Brnabiq, e cila tha se shqiptarët e Kosovës “janë njerëz të zbritur nga malet …” Se bota tashmë e di se kush janë shqiptarë. Turp të kesh!”, ka shkruar ai.