Ma rastin e vdekjes së profesorit, ish-dekanit të Fakultetit të Mjekësisë dhe kirurgut, Gazmend Shaqiri, shumë familjarë e miq të të ndjerit, u mblodhën për ta kujtuar jetën dhe veprën e të ndjerit, raporton Ekonomia Online.
Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, tha se i ndjeri ishte një shembull i një profesori karizmatik, i cili dha një kontribut të madh për studentët e tij.
“Lajmi për vdekjen e Dr. Gazmend Shaqirit ishte një lajm i hidhur për ne. Ai ishte shembull i një profesori karizmatik, një person me integritet të lartë profesional e shkencor. Të gjithë ne e kujtojmë si një shembull të shkëlqyer të një profesori e dekani. Ai ka botuar mbi 210 punime shkencore. Unë kisha nderin që e kisha profesor Dr.Shaqirin dekan dhe ne mburreshim me punën e tij. Ai tha një kontribut të shquar në fakultetin e mjekësisë duke edukuar një sërë brezash kirurgësh”.
Ndërsa kirurgu Luan Jaha, u shpreh se profesori Shaqiri ka qenë motivues për shumë breza.
“Sot po përshëndetemi me prof Gazmend Shaqirin me një njeri, profesor, mjek dhe një vizionar. Në emër të ShSKUK-së iu shpreh ngushëllimet e mija. Ne po ndahemi me një na punëtorë të pashoq. Ai ka qenë motivues për gjithë neve që të vazhdojmë më tutje të studiojmë më tutje, që të ndjekim të gjithë ne shembullin e tij”.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, tha se vepra e Gazmend Shaqirit do të shërbejë si një udhërrëfyes për shumë breza.
“Jemi mbledhur sot këtu në një moment jo të lehtë për të nderuar njeriun që dha shumë per mjekësinë. Në këto çaste ndjehemi krenarë me veprat dhe angazhimin e vazhdueshëm të prof. Gazmend Shaqirit. Ai dha kontribut të madh në edukimin e brezave të tij. Veprimtaria e tij shtrihet edhe në rrafshin e botimeve edhe ashtu shumë punime shkencore. Vepra e tij do shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë ne por edhe brezave që do vijnë”.
Profesori Sadri Bajraktari, mik dhe bashkëpunëtorë i ngushtë i Shaqirit për shumë vite, tha se ai mbetet mësuesi i parë i Kirurgjisë, raporton EO.
“Sot ne jemi këtu po flasim për të dhe do flasim pafundësisht për jetën dhe vepra e profesor Shaqirit. Prof Shaqiri kaloi më ketë të bujshme profesionale. Mbetem falënderues dhe mirënjohës për profesorin dhe për mua ai mbetet mësuesi i parë i Kirurgjisë”.