Profesori i çështjeve të sigurisë, Fatmir Qollakaj, ka thënë se fushata e Serbisë ndaj Kosovës ka një karakter propagandistik dhe denigrues për vendin.
Qollakaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka theksuar se në kuptimin praktik kërcënimet nga Beogradi janë të parealizueshme.
“Bëhet fjalë më shumë për një fushatë, e cila në sens ka karakter propagandistik, ka karakter denigrues për shtetin e Kosovës dhe pengues në afirmimin dhe zhvillimin e vendit. Kurse në kuptimin praktik këto kërcënime janë të parealizueshme, e them me përgjegjësinë më të madhe se kërcënimet e Beogradit janë të parealizuara në Prishtinë”.
Qollakaj ka pohuar se nuk i sheh serioze kërcënimet e shtetit serb për një agresion në Kosovë janë iluzionare dhe të pamundura.
“Kosova tashmë është e njohur për krejt botën se është e pavarur, ka një numër të madh të njohjeve. Nëse Serbia mendon dhe pretendon ta bëjë një agresion në Kosovë është iluzionare dhe e pamundur, jo vetëm se tek ne është KFOR-i , por një sulm i tillë eventual, që për mua është imagjinar, do ta prishte edhe atë ekuilibrim të brishtë që ekziston, me fjalë tjera zgjidhjet mes kontesteve çfarëdo qofshin janë politike dhe jo ushtarake”.
“Një finesë e doktrinave hershme thotë se pas çdo beteje duhet të ulemi në tavolinën e bisedimeve. Unë kërcënimet nuk i shoh serioze në kuptimin praktik kjo është një propagandë e Serbisë që fillimisht është për konsum të brendshëm dhe më pastaj për një mesazh apo frikë permanente të regjionit me atë se është një supremaci ushtarake në regjion”, ka thënë Qollakaj.