Një profesor nga Instituti Indian i Teknologjisë në Roorkee, pretendon të ketë zhvilluar një softuer i cili mund të zbulojë COVID-19 brenda pesë sekondave duke përdorur skanimin me rreze X te pacienti i dyshuar. Profesorit iu deshën më shumë se 40 ditë për të zhvilluar softuerin. Ai ka paraqitur një patentë për të njëjtën dhe i është drejtuar Këshillit Indian të Kërkimeve Mjekësore (ICMR) për një rishikim, raporton “Hindustan Times” të premten.
Kamal Jain, një profesor në Departamentin e Inxhinierisë Civile të Institutit, pretendon se programi jo vetëm që do të zvogëlojë kostot e testimit, por gjithashtu do të zvogëlojë rrezikun e ekspozimit ndaj mjekëve. Deri më tash, nuk ka asnjë verifikim të pretendimit të tij nga një institucion mjekësor shkruan komunikata.
“Unë së pari zhvillova një bazë të dhënash të bazuar në inteligjencën artificiale, pasi analizova mbi 60.000 skanime me rreze X, duke përfshirë ato të pacientëve me COVID-19, pneumoni dhe tuberkuloz për të bërë dallimin midis llojit të bllokimit të gjoksit të pësuar në të tri sëmundjet. Gjithashtu analizova bazën e të dhënave të rrezeve të gjoksit të Qendrës Klinike NIH të Shteteve të Bashkuara”, tha Jain.
Jain tha se duke përdorur softuerin e krijuar nga ai, mjekët mund të ngarkojnë fotografi me rreze X të një individi dhe sipas tij, rezultatet mund të dalin brenda 5 sekondave.
Sipas Jain, softueri mund të ndihmojë në kontrollimin paraprak të saktë i cili mund të plotësohet me testimin klinik për ata që testohen pozitivisht për virusin vdekjeprurës.
“Pneumonia e shkaktuar nga COVID-19 është me e rëndë sesa bakteret e tjera, pasi qe prek mushkëritë plotësisht. Softueri do të analizojë edhe pjesët e padukshme, modelin e grumbullimit të lëngjeve në mushkëri dhe natyrën e grumbullit ose mpiksjes nëse ka”, tha profesori raporton “Hindustan Times”.
Sipas tij, eksperimente të ngjashme janë duke u zhvilluar nga Universiteti i Amazonës në Shtetet e Bashkuara, por ende nuk kanë arritur diçka më shumë.
Ministria e Shëndetësisë e Indisë ka konfirmuar se numri i vdekjeve për shkak të COVID-19 u rrit në 718, kurse numri i infektimeve shkoi mbi 23.077.