Bashkimi Evropian (BE) ka marrë vendim që gjatë dy viteve të ardhshme në vendet publike si komunat, spitalet dhe parqet të mbulohen me lidhjen e internetit Wi-Fi, ndërsa për këtë projekt do të ndahen 120 milionë euro, raporton Anadolu Agency (AA).
Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian dhe Komisioni Evropian lidhën marrëveshje rreth projektit “WiFi4EU”, në kuadër të së cilit në institucionet publike të vendeve anëtare të BE-së do të sigurohet lidhja e internetit falas.
Planifikohet që projekti të zbatohet gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa për këtë do të ndahen 120 milionë euro.
Theksohet se zbatimi i këtij projekti do të jetë primar në rajonet ku ka dobësi në infrastrukturë. Po ashtu, parashihet që zbatimi i projektit të fillojë deri në fund të vitit 2017, ku do të formohen 8.000 pika të reja të qasjes të Wi-Fi.