Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Gjilanit ka mbajtur sot mbledhjen e radhës të udhëhequr nga kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, ku ka rekomanduar për në seancën e radhës të gjitha pikat e rendit të ditës.
Në këtë mbledhje është rekomanduar projekt buxheti për vitin 2018, pastaj pikat e rendit të ditës që kanë të bëjnë për ndërrimin e destinimit të planifikimit në disa parcela në kuadër të planit urbanistik “Livadhet e Arapit”, për nevoja të shkollës dhe të çerdhes e cila pritet të ndërtohet në atë lokacion.
Gjithashtu, në këtë mbledhje të KPF-së pa vërejtje të theksuara janë rekomanduar për në seancën e Kuvendit edhe pikat e rendit të ditës që kanë të bëjnë me planifikimin në pjesën e “Qendrës II”, “Qendrës III” dhe “Qendrës IV”, planifikime këto të cilat janë që nga vitet e ’70-ta.
Njëkohësisht, KPF ka rekomanduar për në seancën e radhës edhe pikën tjetër atë për planifikimin e arsimit 2017-2021 nga ana e Drejtorisë së Arsimit, por duke kërkuar nga Komiteti i linjës që të mbaj edhe një mbledhje dhe ta rishqyrtoj këtë pikë të rendit të ditës, pasi është vlerësuar me rëndësi strategjike për të ardhmen e arsimit në përgjithësi, që është njëri ndër prioritetet kryesore për vitet e ardhshme.
Njëkohësisht, pro dhe kundër këtyre pikave me kërkesën për plotësime dhe shtesë janë paraqitur herë pasë here anëtarët e këtij komiteti si Nevzad Rushiti (LDK), Nevzad Isufi (VV) dhe anëtarë të tjerë, mirëpo të gjitha këto pika kanë marrë mbështetje me shumicë të votave për t’u diskutuar në Kuvendin e Komunës në seancën e caktuar për datën 18 shtator.
Edhe pika e fundit ajo për krijimin e hartave zonale ka marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të KPF-së, që të diskutohet në mbledhjen e radhës të Kuvendit.
Kurse për pikat ku ishin përgjegjës profesional i kanë elaboruar dhe detajuar Ilmi Limoni nga Drejtoria e Financave dhe Fadil Sherifi nga Drejtoria e Urbanizmit.