Projekti i “Botës Serbe” promovohet me bekimin e institucioneve lokale

Prishtinë | 19 Sht 2025 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Në një akt të ri të revizionizmit historik, në sallën e Kuvendit Komunal të Pljevljës të Malit të Zi këtë fundjavë do të promovohet libri, i cili glorifikon figurat më famëkeqe të çetnikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në mesin e tyre janë të përmendur komandantët si Drazha Mihailoviq, Pavle Djurishiq, Momcilo Gjujiq, dhe të tjerë, të njohur për masakrat dhe spastrimet etnike ne Ballkan ndaj shqiptareve, kroateve dhe muslimaneve ne BeH dhe Mal të Zi.

Organizatorët e promovimit janë nga një organizatë lokale e lidhur me qarqe nacionaliste, ndërsa autorë të librit janë Dejan Gjeriq dhe Zoran Nedeljkoviq. Libri, që tashmë është promovuar në Serbi dhe Republikën Srpska, bazohet në arkiva ushtarake dhe private, por sipas kritikëve, përmbajtja është e qëllimshme dhe përpiqet të rehabilitojë figurat e dënuara për krime lufte.

Sipas analistëve si Danilo Kaleziq, ky akt paraqet normalizim të narrativave të rrezikshme, që përmes glorifikimit të kriminelëve historikë përpiqen të ndryshojnë identitetin dhe historinë e Malit të Zi, posaçërisht në kohën kur vendi pritet të përforcojë orientimin evropian.

Kritikat janë shtuar edhe për heshtjen e institucioneve shtetërore ndaj kësaj ngjarjeje, si dhe për praninë e figurave politike që promovojnë ideologjinë e „botës serbe“. Kjo ngjarje vjen pas vendosjes së përkohshme të një përmendoreje për Pavle Gjurishiq në Berane, dhe fjalimeve politike që shpërfaqin përkrahje të hapur ndaj projekteve nacionaliste dhe revizioniste në rajon.

Të ngjashme